Shefi i Stafit të ministres së Punëve të Jashtme, Sharr Jakupi, ka reaguar pas raportimeve mbi shpenzimin prej 1 mijë e 30 eurove për VIP Terminal në Vjenë nga dy këshilltarët e Gërvallës.

Jakupi i ka quajtur shpifje këto raportime, teksa ka thënë se me datën 12 maj nuk ka pasur asnjë udhëtim për në Vjenë.

Ai ka thënë se në atë datë ishin në Strasburg bashkë me ministren Gërvalla dhe këshilltarin tjetër Benit Haxhosaj.

“Shpifje. Nuk kishte udhëtim më daten 12 maj për në Viene. Në atë datë ministrja bashkë me mu dhe Këshilltarin Benit Haxhosaj ishte në Strasburg, siç kan raportuar edhe mediat. Për sqarim: Këshilltarët e pashoqëruar nga ministrja jashtë vendit nuk udhëtojnë asnjëherë dhe nuk kanë udhëtuar asnjëherë nëpër terminale VIP”, ka shkruar ai në ‘Facebook’.

Në media u raportua sot se Kristian Dodaj dhe Benit Haxhosaj, këshilltarë të ministres Gërvalla, njëri politik e tjetri i jashtëm, e kanë blerë me paratë e shtetit trajtimin e VIP-it, duke shpenzuar 1 mijë e 30 euro nga buxheti i shtetit vetëm për të kaluar përmes Terminalit VIP në aeroportin e Vjenës.