Reagon edhe Ambasada franceze: Nuk i kemi shkëputur kontaktet me presidentin Thaçi

Pas reagimit të Ambasadës së Britanisë së Madhe, raportimin e sotëm të “Kohës Ditore” e ka demantuar edhe Ambasada e Francës. Në raportimin e kësaj gazete thuhej se misionet e huaja në Kosovë, përfshirë edhe atë franceze, kanë bllokuar komunikimin me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, pas zhvillimeve të fundit të nxitura nga Prokuroria Speciale e Hagës.

“Ambasada franceze ka kontate të rregullta me të gjithë liderët politikë dhe institucional dhe nuk ‘bllokon komunikimin’ me asnjërin prej tyre”, thuhet në reagimin e Ambasadës franceze në tëitter, transmeton Ballkani.info.

Ndërkaq në reagimin e më hershëm të Ambasadës britanike thuhet se kjo Ambasadë vazhdon të ketë komunikim me të gjithë liderët politikë e institucionalë në Kosovë. “Kjo është diçka normale dhe esenciale për punën diplomatike të Ambasadës”, thuhet në reagim.

Në reagim thuhet se Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë nuk ka bllokuar komunikimin me asnjë prej liderëve politikë e institucionalë të vendit.

“Si një partner dhe shtet mik i Kosovës, Britania e Madhe mbetet në kontakt me të gjithë institucionet e shtetit të Kosovës, me të gjithë partitë parlamentare, bashkë qeverinë dhe opozitën. Ambasada nuk ka “bllokuar komunikimin me asnjë lider politik apo institucional. Kushdo që thotë që diçka e tillë është bërë ka gabuar”, thuhet në reagim.

“Koha Ditore” ka raportuar sot se përveç Ambasadës së Britanisë së Madhe, Thaçit ia ka bërë “bllok” edhe Ambasada e Francës. /Ballkani.info/