Reagon biznesmeni nga Gjilani, tregon a është financues i VV’së dhe a u lirua vajza e tij nga karantina

Biznesmeni nga Gjilani, pronari i kompanisë “Flora Rehau”, Nijazi Osmani, ka mohuar pretendimet e deputetes së PDK-së, Valdete Idrizi, se ai është mbështetës dhe financues i Lëvizjes Vetëvendosje dhe vajza e tij është privilegjuar duke mos u mbajtur në karantinë.

Në një bisedë me Gazetën Insajderi, biznesmeni Osmani, thotë se kjo është një shpifje totale dhe se nuk qëndrojnë fare ato që janë thënë.

“Çka është me rëndësi të kjo, është se, asgjë këtu nuk ka të vërtetë, kjo nuk e di prej çfarë burimi ka rrjedhur, por nuk është e vërtetë. Kjo është një shpifje totale që nuk ka të bëjë as me Vetëvendosjen, as me karantinë”.

“Absolutisht, absolutisht kurrë. Edhe çka është me rëndësi, janë ato instrumentet që mund të vërtetohet a e ka kaluar kufirin a jo, a ka qëndruar, a ka pasur të qëndroj, janë evidencat”, ka thënë Osmani

Madje, Osmani thotë se do të nis procedurat gjyqësore ndaj deputetes së PDK-së, Valdete Idrizi.

“Absolutisht nuk ka shanse, kurrë hiq, kurrë hiq. Kjo është një shpifje që nuk ka të bëjë as me financimin, as me financimin e partisë, as me karantinën e vajzës”.

“Unë nesër fillojë me padi civile ndaj deputetes Valdete Idrizi. Ajo pastaj le të ballafaqohet me drejtësinë dhe realitetin”, ka theksuar ai.

Biznesmeni nga Gjilani, ka kërkuar nga deputetja Idrizi që ta gjejnë një fakt të vetëm se kompania e tij ka financuar Vetëvendosjen, apo se vajza e tij nuk ka qëndruar në karantinë, atëherë ai do të pajtohet me ato që janë thënë.

“Le ta gjejnë vetëm një arsyetim me të voglin që unë si pronar i kësaj kompanie kam financuar apo edhe financoi, vetëm një arsyetim, atëherë do të pajtohem me krejt atë realitet. Apo le ta gjejnë një arsyetim me të voglin që vajza ime ka dalë, ka qenë jashtë Kosovës, ka mbetur atje, ka ardhur dhe nuk iu ka nënshtruar karantinës. Nuk ka të bëjë fare, as nuk ka qenë, as më herët as tash. Ata mund ta dëshmojnë me raporte me të gjitha që nuk ka qenë”, deklaroi biznesmeni gjilanas, Nijazi Osmani.

Më herët gjatë ditës, deputetja e PDK-së, Valdete Idrizi, në një konferencë për media ka thënë se vajza e një biznesmeni, duke aluduar në Nijazi Osmanin, nuk është mbajtur në karantinë pas intervenimit të tij, meqë besohet se është financues dhe mbështetës i VV-së.