Reagon Baton Haxhiu: Një përgjigje për këta linçues: Jam për t’u dënuar secili që ka bërë krime. Pikë

Një reagim për ata që më përdorën mua, për luftën e tyre politike; për ata që organizuan të më linçojnë, për ta fshehur humbjen e tyre morale dhe për ta zhvendosur përqendrimin publik te unë. Dhe, një ndjesë për ata që e kuptuan si të vërtetë retushimin dhe manipulimin gebelsian të sinkronizuar.

Kërkim falje dhe një poshtërsi gebelsiane

Nga disa reagime që dëgjoj dhe lexoj, autorët e të cilëve po dalin mbi detyrën e të qenit njerëzorë dhe politikë, janë të padinjitetshëm në atë që thonë, para së gjithash për shkak të pozicioneve që përfaqësojnë.

Unë, thjesht, nuk di asgjë për marrëveshjen e mundshme finale mes Kosovës dhe Serbisë. As nuk di çfarë do të bisedohet. Kjo është e vërteta.

Por, e di se disa nga ata që shkruajnë dhe kanë pozicione të larta publike, dëshirojnë shumë që një pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së të dënohet nga Gjykata Speciale.

Këtë nuk e fshehin, dhe bëjnë mirë që s’e fshehin.

Flasin për drejtësinë me histeri, në mënyrë të pacipë, në emër të hakmarrjes personale ndaj një emri të përveçëm. Por, në të vërtetë, veç po i fyejnë të gjithë ata që përjetojnë ende dhimbjen e krimeve të luftës.

Një përgjigje për këta linçues: Jam për t’u dënuar secili që ka bërë krime. Pikë.

Më vjen keq, që për ta kaluar një situatë të rëndë politike brenda Qeverisë Kurti, sinkronizohen individë dhe grupe – që për t’i mbuluar gabimet e veta, në mënyrë gebelsiane ndërtojnë kauzë politike të paqenë dhe kauzë linçimi publik ndaj meje. Duke vendosur jashtë kontekstit fjalitë e mia.

Ky grup njerëzish, që vepron i organizuar në sinkronizim në rrjete sociale, ka shpërndarë fjali të pathëna nga unë dhe ka vendosur numra në pikat e marrëveshjes jo-ekzistuese, pa ditur unë asnjë shkronjë të saj.

Kanë prerë pjesë nga debati, një praktikë kjo tashmë e njohur e tyre e manipulimit, dhe për ta bërë më të besueshme gënjeshtrën e tyre, kanë shpikur pika të marrëveshjes, duke nxjerrë jashtë kontekstit fjalitë e mia për amnistinë dhe Gjykatën Speciale.

Duke u kërkuar falje familjeve të dëmtuara, që i nënshtrohen këtij terrorizimi, dhe që mund ta kenë marrë si të mirëqenë mendimin tim të retushuar nga autorët e mesazheve të dirigjuara, dua ta bëj edhe një herë të qartë qëndrimin tim për Gjykatën Speciale dhe për amnistinë, por jo kurrsesi amnistinë për krimet e luftës.

Krimet e luftës nuk mund të amnistohen me asnjë marrëveshje politike, sepse ato janë të përcaktuara me traktat ndërkombëtar dhe amnistimi i tyre thjesht është i pamundur.

Më poshtë, po i sjell edhe një herë shembujt që kam përmendur edhe në një shkrim timin të mëhershëm.

Krimet duhet dënuar për t’u forcuar e drejta dhe sistemi gjyqësor. Dhe, nuk jam që me vendime politike të zgjidhen problemet e drejtësisë.

Pasi u bë gjithçka që ishte e mundur publikisht dhe kur u pa se ishte e pamundur të durohej më gjatë, sepse qëllimi ishte arritur, dhe se Gjykata mbahet e nuk shfuqizohet, kisha vendosur ta thosha mendimin tim duke mbajtur papajtueshmërinë absolute me atë që po ndodh dhe që po thuhet tash.

As shkrimet me tezën e drejtësisë së padrejtë dhe as reagimet për ta lënë Kuvendin e Kosovës fajtor për Gjykatën Speciale, as reagimi i pashembullt i disa personazheve publike, duke shmangur fotografinë e madhe të një padrejtësie historike, që institucionet ndërkombëtare po ia bëjnë Kosovës, nuk i ndihmojnë drejtësisë.

As Europa e dobët, Europa e pafuqishme, nuk është arsye për të dominuar me diskurs brutal dhe për ta bartur atë diskurs te një grusht njerëzish në Kosovë, për ta arsyetuar Gjykatën në një situatë historikisht të paqëndrueshme.

Prandaj, jam kundër Gjykatës.

Rreth amnistisë që fola

Amnistia për të cilën fola është amnistia siç definohet nga drejtësia, dhe jo amnistia siç definohet nga manipuluesit gebelsianë. Këta individë dhe këto grupe nuk e morën mundimin të lexojnë çfarë do të thotë amnistia, por nxituan të më veshin gjëra që nuk i kisha thënë dhe as menduar. Ata “zgjeruan” dhe stërkeqën definicionin e termit që përdora.

Unë nuk fola për amnistimin e kriminelëve që vranë familjarët e mi, as të kriminelëve që vranë mijëra fëmijë, pleq dhe civilë të pambrojtur, as për amnistimin e ushtarëve e paramilitarëve që dhunuan mbi 20 mijë gra, dëbuan rreth 1 milion shqiptarë dhe dogjën e plaçkiten Kosovën. Nuk fola për këtë amnisti. Sepse, kjo nuk do të ishte amnisti, por vrasje e dytë e viktimave dhe e të dashurve të tyre.

Unë fola për amnistinë politike, për ish-ushtarin e UÇK-së që burgoset, maltretohet dhe akuzohet me prova të dyshimta për terrorizëm dhe krime lufte nga organet serbe, sa herë që kalon nëpër territorin e Serbisë.

Por, amnistia për gebelsianët mori kuptim më të gjerë se definicioni dhe kuptimi i saj ligjor, pasi vetëm si i tillë mund të kthehet në armë për të më sulmuar.

E nëse amnistia përjashton krimet e luftës, sipas të gjitha rregullave ndërkombëtare, si është e mundur që ajo kur thuhet nga unë – të nënkuptojë më shumë se ç’nënkuptohet brenda definimit të saj ligjor?

Secili që është marrë sado sipërfaqësisht me drejtësinë tranzicionale, e di që amnistia për krimet e luftës është e pamundur, dhe çdo eksperiment dhe tentim i deritanishëm për ta afirmuar si regjim ka dështuar. Ka dështuar edhe në Argjentinë, kur u provua të liroheshin nga përgjegjësitë oficerët e diktaturës ushtarake që kishin torturuar dhe zhdukur qytetarët. Ka dështuar edhe në Kili, pas regjimit barbarë të Pinoqetit. Ka dështuar edhe në Afrikë. Kjo ka ndodhur thjesht për arsyen se amnistia për krimet e luftës nuk ekziston.

Prandaj, u ndjeva i detyruar, që përballë familjeve dhe viktimave të luftës, i përulur dhe duke kërkuar falje për trazimin që mund t’ua kem bërë, si pasojë e nxjerrjes nga konteksti i asaj që thashë, të sqaroj se termi amnisti i përdorur nga unë është ai që parashihet me ligje, amnistia që liron popujt mes vete, por jo amnistia që fal krimet monstruoze të individëve dhe të shtetit serb.

Për kujtesë

Gjithçka nisi me vendosjen e aparteidit në Kosovë. Kjo duhej denoncuar atë kohë. Prandaj, është e qartë se fushata e terrorit serb nuk kishte filluar më 24 mars 1999, ditën kur NATO marshoi për ta bombarduar Serbinë, e as më 28 shkurt 1998 – kur u kryen masakrat serbe në Drenicë, madje as më 1989.

Ishte një periudhë e urrejtjes, një kohë e kultivimit të racizmit, e stimulimit të idesë së rreme se serbët na qenkan racë sipërore ndaj shqiptarëve, që zgjati së paku nga viti 1912 e këtej.

Natyrisht, përballë kësaj stuhie terrori fizik dhe psikik pothuaj njëshekullor, edhe shqiptarët kishin konservuar në vetvete një urrejtje të madhe ndaj serbëve.

Por, kjo ishte urrejtja e të nënshtruarit, ishte përbuzja e viktimës ndaj bartësit të arbitraritetit, që ishte shteti serb.

Këtu qëndron dallimi, mbase qenësor, në urrejtjen mes serbëve dhe shqiptarëve.

Urrejtja e viktimës ndaj pushtuesit kurrë nuk është e njëjtë me urrejtjen e pushtuesit ndaj viktimës.

Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët me numër të madh ishin në Kosovë, qëmoti kishin filluar procesin e rëndë të paqësimit. Dukej e qartë se pas gjithë asaj që kishte ndodhur, nuk ishte e lehtë dhe nuk mund të kalohej në normalitetin e përditshëm, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Pas një periudhe të gjatë u pa se bashkëjetesa ishte e mundur, ndonëse e vështirë.

Pas luftës, Kosova është dukur tmerr. Dhe mund të ketë pasur hakmarrje.

Një pjesë jo e vogël e njerëzve në Kosovë, të cilët nga dhuna barbare kishin humbur më të dashurit dhe më të afërmit e tyre, thirrjet dhe lutjet për bashkëjetesë me fqinjët e tyre, në radhë të parë, i kuptonin si një reprizë nga e kaluara.

Por, si ta kuptonin këtë mesazh njerëzit e thjeshtë, të cilët kur ishin kthyer nga kampet e refugjateve, në vend të pronave të pasura gjenin gropa të zeza? Ishte gati e natyrshme që ndjenja e hakmarrjes vlonte në gjoksin e çdokujt. Prandaj, aktet e aty-këtushme të hakmarrjes ndaj fqinjëve – këtë e kishte thënë edhe Bill Clinton, Presidenti i SHBA-ve, dhe e kishte përsëritur Joschka Fischer, Ministri i Jashtëm Gjerman – nuk ishin aspak befasuese.
Mirëpo, a janë këto krime për një Tribunal për Kosovën?

Ideja e Tribunalit

Pas akuzave të Dick Martyt, politikanit zviceran dhe mikut të ngushtë të Carla del Pontes, qarqe të ndryshme ndërkombëtare kërkuan ngritjen e Tribunalit për Kosovën. Jo për Serbinë si agresore, por për Kosovën që ishte viktimë. Këtë e miratuan me shkrime edhe disa analistë shqiptarë të Kosovës. Ishte mendimi i tyre që ata përfaqësonin. Por, pse unë isha dhe jam kundër Tribunalit?

Juridikisht, moralisht dhe historikisht, ideja nuk ka asnjë bazë konkrete, përkundrazi është kundra-produktive dhe më tepër se tendencioze. Sidomos për shkak të faktit se kosovarët, shumica e tyre, janë pro bashkëpunimit me organet ndërkombëtare në trajtimin e akuzave për akte potenciale kriminale që mund të kenë ndodhur gjatë luftës mbrojtëse.

Këtë gatishmëri kosovarët e kanë demonstruar që nga fillimet, madje duke shkuar pa asnjë rezistencë në Hagë. Duke mos pasur kompetencat në ligjësi, ata as që kanë mundur të veprojnë vetë në kërkim të “Shtëpisë së Verdhë”, e cila nuk bie në juridiksionin e Kosovës, por të Shqipërisë. UNMIK-u dhe EULEX-i e kanë bërë atë punë. Ose nuk e kanë bërë.

Nuk e kanë bërë mirë si duket, sepse tjerët mendojnë kështu.
Pikërisht për shkak të paaftësisë, mos-efikasitetit dhe dështimit të këtij institucioni ndërkombëtar të ligjësisë, tash haraçin – edhe historik – që do t’iu nënshkruhet gjeneratave që vijnë, duhet ta paguajë Kosova. Dhe, atë, duke u vulosur nga vendi viktimë i gjenocidit në vend të krimeve eventuale.

Kjo është padrejtësia më e madhe që aleatët e saj mund t’ia bëjnë Kosovës, vendit që e çliruan bashkë me ata të cilët sërish sot i akuzojnë për krime lufte.

Ndërhyrja për t’i shpëtuar kosovarët nga gjenocidi nuk ishte precedent, por liria e saj dhe ideja për një Tribunal është bërë e tillë.

Nuk dua me këtë t’i amnistoj dështimet e shumta politike dhe shoqërore, të cilat kosovarëve ua krijojnë përshtypjen se vendnumërojnë.

Fjala është te raporti i ndërkombëtarëve ndaj këtij vendi, të cilin, me veprimet që bëjnë, si duket do të kenë harruar nëse e zaptuan apo e çliruan Kosovën.

Pse këto dilema?

Pse mendoj se liria jonë të jetë mozaik precedentësh që minojnë çdo praktikë historike, që përdhosin logjikën e çdo ligjësie, që vënë në pikëpyetje moralin e çdo të drejte të qenies humane për t’u mbrojtur nga e keqja, agresioni?

Duke e parë historinë e problemeve, duket e pakuptimtë ideja për një Tribunal të veçantë për Kosovën.

Pak histori Tribunalesh

E kam të shkruar edhe më herët, por ia vlen ta rikujtoj se pse nga cilido aspekt ideja për Tribunal del absurde. Ky është vetëm vështrim imi dhe mund ta kem gabim, por e kam bindjen time se duke përjetuar edhe personalisht, edhe familjarisht, të gjitha që kanë ndodhur në Kosovë, e kam të drejtën ta kundërshtoj fuqishëm idenë e Tribunalit. Edhe pse ajo tashmë është e vendosur dhe është kontratë ndërkombëtare me BE-në. Por, sërish mbaj qëndrim të palëkundur.

Në “Deklaratën mbi krimet gjermane në Evropën e pushtuar” të 30 tetorit 1943, aleatët anti-nazistë vendosën që edhe pas luftës t’i ndjekin krim-bërësit masivë. Më 8 gusht të vitit 1945, u nënshkrua Karta e Nurembergut, marrëveshja ndërmjet vendeve kryesore të botës. Shtylla qendrore e kësaj marrëveshjeje ishte: “Gjermanët që kanë kryer krime të rënda në vende të tjera do t’iu dorëzohen organeve të drejtësisë të po atyre vendeve. Ata që kanë qenë urdhërues krimesh të rënda, mirëpo nuk mund t’iu përcaktohet përgjegjësia konkrete në vendin e ngjarjes, do të dënohen – me një vendim të mëvonshëm – në vendin e tyre, pra në Gjermani”.

Si konsekuencë e kësaj marrëveshjeje u hap i famshmi Proces i Nurembergut, ai i Eichmann-it e të ngjashëm, që dënuan pjesën më të madhe të planifikuesve dhe ekzekutorëve të luftës dhe gjenocidit ndaj hebrenjve.

Duke u bazuar në këtë përvojë dhe mbi këto praktika të marrëveshjes historike u ngrit edhe Tribunali për Ruandën, i cili për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe qeverive që refuzonin bashkëpunimin, detyroi ndërkombëtarët që gjykimi mos të bëhej në vendin ku u kryen krimet, por jashtë.

E njëjta situatë u paraqit edhe në ish Jugosllavi, me fokus të veçantë në Serbi, pasi autorët e gjenocidit ndaj kosovarëve, boshnjakëve, kroatëve konsideroheshin heronj, e jo agresorë.

Në dokumentet themeluese të Tribunalit të Hagës ky edhe ishte arsyetimi pse gjykimet nuk do të mbaheshin në Beograd, Zagreb, Sarajevë apo Prishtinë – ku edhe ishin kryer krimet masive, por në Hagë.

Kjo praktikë historike ndryshoi me qasjen e Carla del Pontes (natyrisht, në marrëveshje me Zoran Gjingjiqin, si kusht për ta dorëzuar Slobodan Millosheviqin dhe të tjerët), e cila që nga aty e tutje nuk do t’i përndiqte më vetëm strategët, nxitësit dhe ekzekutorët e gjenocideve, por edhe viktimat e tyre.

Jo vetëm Slobodan Millosheviqi dhe garda e tij që nisi luftën dhe ushtroi gjenocide rajoneve të ish Jugosllavisë u mor në Hagë, por edhe komandantë ushtrish lokale që luftonin për mbrojtjen e popullatës dhe rezistencë ndaj agresorit.

Në Hagë përfunduan dhe u liruan disa nga komandantët e UÇK-së. Ndërkohë, vendet përkatëse – si agresori Serbia, ashtu edhe viktimat Kosova – u kushtëzuan që të hetojnë dosje në rast se eventualisht paraqitet nevoja.

Serbia nga pozitat e agresores padyshim se duhej të vepronte dhe nuk ka dhënë rezultate në këtë drejtim. Kosovarëve nuk iu dha kjo mundësi direkte, për shkak të prezencës së EULEX-it, mision që kishte për detyrë zbardhjen e delikteve të natyrës kriminale.

Megjithatë, para se të dal tek EULEX-i dhe Tribunali, është me rëndësi të analizohet thyerja e filozofisë së deritanishme të ligjësisë perëndimore, apo kriminalizimin e viktimës që ka pasur fatin të shpëtojë gjallë.

Më e çuditshmja në këtë proces për Tribunalin duket qëndrimi amerikan, i atyre që vijnë apo jetojnë në ato më shumë se 30 shtete të SHBA-ve që në sistemin e tyre ligjor kanë të ashtuquajturin “Stand-your-ground law”, i cili i jep të drejtën amerikanit që në mbrojtje të pragut dhe familjes nga agresioni i padrejtë dhe i jashtëm edhe të vrasë.

Parimi është i njëjtë edhe kur ai është më masiv. Asnjëherë para Luftës në ish–Jugosllavi, dhe para personalizimit të filozofisë juridike nga Carla del Ponte, nuk ka rastisur që para gjyqit të vihen edhe degolianët e rezistencës franceze, as madje edhe egërsirat (sot historikisht të dokumentuara) e Armatës së Kuqe që dhunuan mijëra gra polake, çeke, hungareze e gjermane, e as ndonjë milic që mbronte me armë tutsit e Ruandës nga hututë.

Tjetra që komplikon edhe më shumë involvimin e atyre që duan tribunale edhe për mbrojtësit është i ashtuquajturi “parim i vrasjes në mbrojtje të viktimës”. Edhe perëndimorët bombarduan e vranë në mbrojtje e sipër – ka gabuar ndonjë bombë cakun dhe ka vrarë edhe civilë. Edhe ndonjë komandant i ushtrisë mbrojtëse, edhe ndonjë civil shqiptar, për shkak të tërbimit pasi që ka parë gjithë familjen e vdekur, mund të ketë bëre vrasje.

Për këto raste, që edhe janë të izoluara, ligji ka detyrë t’i akuzojë, pandehë e dënojë personat e tillë.

Mirëpo, kjo nuk e justifikon ngritjen e një Tribunali mbi një vend që ka luftuar për liri, sepse në këtë mënyre fabrikon parimin se çdo vendi mund t’i bëhet Tribunal.

Pra, bëhet absurde dhe banalizon juridikisht e moralisht misionin e tribunaleve për krimet e luftës.

Në kuadër të Planit të Veprimit për Kapitullin 23 të hapur me BE-në, Serbia ka miratuar Strategjinë Nacionale për Përndjekje të Krimeve të Luftës për periudhën 2016-2020. Pavarësisht kësaj mase të vlerësuar publikisht, performanca e Departamentit për Krime Lufte (në kuadër të Gjykatës të Lartë dhe të Gjykatës të Apelit në Beograd mbetet e diskutueshme. Raporti i ekipit ligjor të Qendrës për të Drejtën Humanitare mes tjerash vëren presion politik në raste, mungesë transparence dhe shkelje procedurale të vazhdueshme. Për më tepër, raporti ngrit shqetësimin se prej më se tri vitesh gjyqësori serb nuk ka pasur rezultate në adresim të krimeve të kryera në Kosovë. Rasti i fundit i përfunduar është ai i Lubeniqit (Prill 2014), i zgjeruar më vonë për shkak të gjetjeve tjera për tre të akuzuar tjerë të përfshirë edhe në rastin e Qyshkut. Sidoqoftë, ekzistojnë nëntë raste tjera të pambaruara (pa justifikim bindës) për krime në Kosovë të ndërlidhura me rastet në Pejë, Krushë të Vogël, Savinovodë, Vushtrri, Goden, Kralan, Landovicë, Poklek dhe Rezallë.

Në Kosovë, ndërkaq, përkundër hetimeve nga Tribunali i Hagës, UNMIK dhe EULEX, sot iniciohet Gjykata Speciale si masë shtesë për hetime të krimeve të luftës të kryera nga pala shqiptare.
Për më shumë, BE-ja nuk ka adresuar asnjëherë fuqimisht fenomenin e rikuperimit politik të figurave të dënuara/ përfshira në krime lufte në Kosovë. Gjenerali Vladimir Lazarevic, i dënuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte në Kosovë, sot punon si profesor në Akademinë Ushtarake Serbe ku i trajnon oficerët e rinj. Ai është pritur dhe mirënjohur prej autoriteteve më të larta institucionale në Serbi me t’u rikthyer në vitin 2015.

Në të njëjtën kohë, dy të dënuar tjerë për krime lufte në gjykata të brendshme dhe Tribunal të Hagës, përkatësisht Veselin Shljivançanin dhe Momçilo Krajishnik, janë shfaqur si folës publikë nëpër evenimente të Partisë Progresive Serbe dhe Qendrës Rinore në Beograd. Një tjetër i dënuar për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë, Nikola Sainoviq, vazhdon të ketë paraqitje të rregullta publike si anëtar i bordit qendror të Partisë Socialiste të Serbisë.

Po ashtu, Danica Marinkoviq, ish-gjyqtare hetuese në Kosovë dhe dëshmitare në favor të Slobodan Milloshevicit, Sreten Lukiqit dhe Vlastimir Gjorgjeviqit në Hagë, është bërë pjesë e bordit për antikorrupsion.

Për pistat e krimit dhe amnistinë

Po përmend emra fshatrash, jo njerëz dhe familje. Dhe as përshkrime situatash rrëqethëse.

Meja, Pokleku, Obria, Likoshani, Gjakova, Peja, Rogova, Malisheva, Skenderaj, Prekazi, Kijeva, Deçani, Gllogjani…

Kush i ka trajtuar këto raste dhe dhunimet në historinë e pasluftës?
Kush i ka kushtëzuar dhe kush do t’i dënojë këto raste? Një pjesë e tyre do të zbehen, një pjesë do vdesin dhe një pjesë nuk do të trajtohen. Dhe ku jemi ne? A mund të kërkojmë drejtësi me (pa)fuqinë e shtetit që kemi? Këto raste duhet të mbeten deri në zbardhje.

Por, a mund të ketë amnisti për gjëra të tjera?

Mos-ikja nga drejtësia

Komandantët e UÇK-së nga të gjitha zonat operative janë dënuar nga gjykatat e Kosovës. Krahasuar me Serbinë si agresore, Kosova dhe institucionet e drejtësisë ndërkombëtare kanë futur në proces këta njerëz:
Sabit Geci me grupin e tij (dhjetëra vjet burgim).
Grupi i Llapit (dhjetëra vjet burgim).
Grupi i Dukagjinit (dhjetëra vjet burgim).
Gjykimet e Fatmir Limajt dhe të tjerëve.
Gjykimet e dy grupeve të Drenicës (qindra vjet burgim).
Mbi 50 emra komandantësh të luftës që janë dënuar me fakte banale.

Rekapitulim

UNMIK dhe EULEX kanë dështuar, sepse e kanë pasur drejtësinë tranzicionale në duar.

Personalisht, kam besuar në një idealizëm europian për jetën dhe rendin e ligjin, por kjo ka dështuar.

Kjo sjellje ka lënë përshtypje të rrejshme për angazhimin e saj për rend dhe ligj.

E përshtypja në vendet me konflikt të papërfunduar është më e fortë se idetë racionale të stërzgjatura dhe të detajuara në draftet që nuk përdoren kurrë.

Ju ka munguar konteksti politik, shoqëror dhe vizioni për të ardhmen e drejtësisë së këtij vendi.

Për këtë sanksionohet Kosova?! Për ne, qytetarët e saj, që kemi luftuar për liri dhe kundër gjenocidit.

Prandaj, Tribunali nuk ka as bazë historike, as juridike e as morale, që ta sfidojë Kosovën.

Selia e këtij komisioni të përzier me çdo kusht duhet të jetë në Kosovë e askund tjetër.

Hakmarrësit kosovarë, qoftë komandantë ose të tjerë që vranë, duhet të dënohen në Kosovë.

Nuk mund të ketë Tribunal për një popull që u mbrojt dhe luftoi për liri.

Kurse, marrëveshja e paqes duhet të ketë edhe kërkimfalje brenda, por jo falje për ata që kryen krime lufte dhe lirim nga përgjegjësia e shtetit që i projektoi këto krime.