Babai i Neymar ka reaguar ndaj trajtimit të ashpër, që djali i tij ka marrë në fushë dhe jashtë saj, pas dëmtimit të fundit të yllit të PSG-së.
Sulmuesi brazilian doli nga fusha i përlotur në ndeshjen e së mërkurës për “Coupe de France”, i dëmtuar nga përplasja e fortë me Moataz Zemzemi.
Më vonë u konfirmua se Neymar kishte pësuar një përsëritje të dhimbshme të lëndimit të këmbës, që e la atë gati tre muaj pushim, vitin e kaluar. Ish-sulmuesi i Barcelonës shpesh ishte kritikuar për simulim në fushën e blertë, se rrëzohej fare lehtë në raste dyluftimesh. Madje, edhe legjenda Pele pretendoi se 26-vjeçari bën një teatër të dukshëm për t’u mbrojtur.
Në një postim të gjatë në Instagram, Neymar Santos Sr (babai i futbollistit), ka reaguar fort ndaj të gjithë atyre, që thanë se djali i tij ishte fajtor në nxitjen e lojtarëve, për ta lënduar atë. Përmes fotove, ai tregoi dyluftimin e të birit me mbrojtësin e Kolumbisë, Juan Zuniga, që e la Neymar me një kockë të thyer në shpinë, duke e përjashtuar atë nga gjysmëfinalet e Kupës së Botës të vitit 2014, si dhe një tjetër në Botërorin e Rusisë.
Për këtë të fundit, babai-menaxher nënvizon: “Një shkelje në kyçin e këmbës nga meksikani Miguel Layun, kur ai ishte jashtë loje”. Dhe vazhdon më tej: “Ishte thënë se nuk kishte asgjë dhe se, në të kundërt, ai simulonte. Ai kishte VAR, kishte gjithë botën të shikuar, por gjithsesi, u konsiderua fajtor”.
Neymar Santos Sr, gjithashtu, përmendi incidentin e fundit kundër Strasburgut për të forcuar reagimin dhe tha se sa herë që djali i tij bie në tokë, konsiderohet si një simulues, edhe pse trajtohet ashpër nga kundërshtarët.







