Reagojnë Shpend Ahmeti dhe Lumir Abdixhiku, e quajnë të turpshëm sulmin ndaj gruas rome

Kreu i PSD-së dhe i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas sulmit që i është bërë një gruaje të komunitetit rom, për të cilën paraprakisht pati një dezinformatë se po rrëmbente fëmijë.

“Një dezinformatë mbi një qytetare që po ‘rrëmben’ fëmijë u shpërnda pa kurrfarë verifikimi as mendimi mbi pasojat. Sulmi mbi të nga disa të rinj sot është mentalitet i turmës. Por mbi të gjitha është turp i joni”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka thënë se është “turp për faktin që shpërndajmë lajme të tilla”.

“Turp për mungesën e edukatës themelore. Turp për mungesën e mendimit kritik. Turp për mosguximin me parandalu gjëra të tilla. Turp për paragjykimet e stereotipet që i kemi. Turp për mos mbrojtjen e grupeve të margjinalizuara të shoqërisë”, ka thënë ai.

Ahmeti ka thënë se sot u sulmua një qytetare, një grua.

“Fakti se ishte rome ndoshta i lehtëson racistët në shtetin tonë, por në fakt duhet të rëndojë tepër shumë të gjithë ata që mendojnë se shteti jonë është i barabartë. Kur nuk punojmë çdo ditë për të luftuar paragjykimet, stereotipet e shpifjet, ditën e sulmeve është vonë të vajtojmë”, ka thënë Ahmeti.

Ka reaguar edhe deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku:

Trima e azganë me një grua të shkretë që sulmohet, linçohet e përshkruhet si monstrume.

Qingja e të durueshëm me grabitësit e vërtetë; kapës politik që s’lënë gjë pa fëlliqë e pasuri pa vjedhë.