Reagojnë nga VV’ja për aksionin në Karaçevë: E përshëndesin, por edhe ‘u mbet hatri’ për diçka

Pas aksionit të mbrëmshëm në Karaçevë ku janë arrestuar 33 persona, në mesin e tyre 10 zyrtarë policorë, kanë reaguar edhe nga Vetëvendosja të cilët si rrallëherë e kanë përshëndetur këtë aksion, por edhe kanë hedhur kritika ndaj Ministrit të Brendshëm Agim Veliut.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci ak thënë se aksione të tilla, rezultatet konkrete në luftimin e krimit e korrupsionit duhet të jenë të vazhdueshme e të natyrshme, mirëpo sipas saj ky operacion i Policisë, nuk e zëvendëson obligimin e ministrit të punëve të brendshme, Agim Veliu, të mbajë të informuar Kuvendin për secilën çështje që është me interes.

“Aksione të tilla, rezultatet konkrete në luftimin e krimit e korrupsionit duhet të jenë të vazhdueshme e të natyrshme. Secili institucion dhe zyrtar publik duhet të kryej me kompetencë, përgjegjësi e nderë detyrën që merr përsipër.
Operacionit i Policisë së Kosovës, nuk zëvendëson obligimin e ministrit të punëve të brendshme, zt.Veliu, të mbajë të informuar Kuvendin për secilën çështje që është me interes, ashtu sikurse ishte dhe Interpelanca e djeshme e ftuar nga LV! në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, respektivisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ky është shkrimi i plotë i saj:

Përshëndesim operacionin e mbrëmshëm në fshatin Karaçevë, komuna e Kamenicës dhe bashkëpunimin ndërmjet prokurorisë, policisë dhe inspektoratit policor.
Ky operacion sipas njoftimit është rezultat i një hetimi një vjeçar, i bashkëpunimit të institucioneve e agjencive shtetërore, por edhe i aktivizmit qytetar, presionit publik sikurse dhe angazhimit të deputetëve e komisionit funksional të Kuvendit të Republikës.
Aksione të tilla, rezultatet konkrete në luftimin e krimit e korrupsionit duhet të jenë të vazhdueshme e të natyrshme. Secili institucion dhe zyrtar publik duhet të kryej me kompetencë, përgjegjësi e nderë detyrën që merr përsipër.
Operacionit i Policisë së Kosovës, nuk zëvendëson obligimin e ministrit të punëve të brendshme, zt.Veliu, të mbajë të informuar Kuvendin për secilën çështje që është me interes, ashtu sikurse ishte dhe Interpelanca e djeshme e ftuar nga LV! në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, respektivisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.
Patrullimi i pjesëtarëve të uniformuar të Serbisë nëpër rrugët e fshatit Karaçevë u regjistrua nga banorët e fshatit, u dëshmua nga të pranishmit si dhe u konfirmua nga Policia e Kosovës, andaj është detyrë e institucioneve të sigurisë mbrojtja e integritetit të vendit , e secilit qytetarë.

Ndërkohë dhe Kuvendi duhet të miratoi Rezolutën e propozuar nga LV! me dy pikat si mē poshtë:

  1. Institucionet e Republikës së Kosovës të ndërmarrin masat e nevojshme dhe t’i përdorin të gjithë mekanizmat kushtetues e institucional për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
  2. Brenda dy muajve të vendoset një nën-stacion i përhershëm i Policisë së Kosovës në fshatin Karaçevë të Kamenicës.