Reagojnë nga presidenca, kërkojnë anëtarësimin e menjëhershëm të Kosovës në NATO dhe BE

Shefi i kabinetit të Presidentes, Blerim Vela, ka konsideruar se anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe njohja nga pesë shtetet mos-njohëse do të frenonin, siç e quan ai, ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor.

Vela këto deklarata i ka bërë me anë të një postimi në llogarinë zyrtare të tij në ‘Twitter’, duke shtuar më tej se kjo do të frenonte zhbërjen e përparimeve të faktorëve ndërkombëtare në rajon.

“Agresioni i #Rusisë kundër #Ukrainës ndryshon përllogaritjes e sigurisë në Evropë. #NATO dhe #BE kanë një qëllim të ri. Megjithatë, vendet e NATO-s dhe BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, i mundësojnë Rusisë t’i kthejë rajonet tona në fushën e radhës të betejës midis demokracisë dhe autokracisë”, ka shkruar ai në ‘Twitter’.

“Kjo është arsyeja pse njohja e Kosovës dhe anëtarësimi i saj i menjëhershëm në NATO dhe BE siguron paqen dhe stabilitetin në rajon dhe ndalon ndikimin rus, si dhe përfaqësuesit e saj në Serbi dhe Republika Srpska që ta zhbëjnë të gjithë përparimin e arritur së bashku me mbështetjen e SHBA-së, BE-së dhe NATO-s”, ka thënë më tej Vela.

Kërkesë për anëtarësim në NATO dhe BE ka parashtruar edhe presidentja Vjosa Osmani mbrëmjen e së hënës, duke iu bashkëngjitur iniciativës së nisur në ‘Twitter’ #KosovoisNATO.

“Serbia nuk është neutrale. Serbia qëndron me Rusinë. Demokracitë, përfshirë këtu edhe Kosovën, qëndrojnë me Ukrainën #KosovoInNATO”, ka shkruar presidentja në profilin zyrtar të saj në ‘Twitter’.