Reagojnë nga Presidenca: Derisa Vuçiq thotë se po kërkon paqe, ushtria e Serbisë po rrit aktivitetin në kufirin me Kosovën

Shefi i kabinetit të presidentes së Kosovës, Blerim Vela, ka reaguar pas katër vizitave të paralajmëruara nga Ministria e Mbrojtjes së Serbisë që nga fillimi i gushtit në bazat ushtarake pranë kufirit të Kosovës.

Vela, me anë të një postimi në ‘Twitter’ i ka quajtur këto veprime si tentime për destabilizim, që sipas tij, i shkojnë për shtati Rusisë, shkruan lajmi.net.

“Përderisa Vuçiq po thotë se “po lufton për paqe“, ushtria e Serbisë po rrit aktivitetet në kufirin me Kosovën. Ministria e Mbrojtjes së Serbisë lajmëroi katër vizita që nga një gushti nëpër baza ushtarake pranë Kosovës, për t’i matur “nivelet e gatishmërisë së tyre”, shkruan Vela.

Reagimi i Velës vjen dy ditë pas deklaratës së shefit të së ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, i cili tha se Vuçiq “po lufton për paqe”.

“Më e rëndësishmja është se ne kemi luftuar për paqe, stabilitet, për arritje të një kompromisi dhe për këtë arsye presidenti Aleksandar Vuçiq po qëndron këtu në Bruksel për disa kohë”, deklaroi Petkoviq.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, sidoqoftë, e ka potencuar edhe në takim me Vuçiqin edhe në atë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, që Aleanca Veriatlantike është e gatshme të ndërhyjë në Kosovë në rast të destabilizimit.