Reagimi i Pjetër Nrecaj që vrau gruan dhe vajzën kur gjykata ia ul dënimin

Gjykata Themelore në Gjakovë, pas rigjykimit e ka shpallur sot sërish fajtor të akuzuarin për vrasjen e gruas dhe vajzës së tij, Pjetër Ndrecaj.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Gëzim Pozhegu, i akuzuari Ndrecaj është dënuar me 24 vjet e gjashtë muaj burgim unik.

Sipas gjykatësit Pozhegu, i akuzuari Ndrecaj për veprën penale të armëmbajtjes pa leje është dënuar me një vit burgim, ndërsa për vrasje me 24 vjet burgim.

Më pas, ndaj tij është shqiptuar dënimi unik në kohëzgjatje prej 24 vjet e gjashtë muaj burgim.

Gjykata Themelore në Gjakovë, më 2 nëntor 2018, për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, e kishte dënuar Ndrecajn me 24 vjet burgim efektiv.

Ndaj këtij vendimi, kishin bërë ankesë të gjitha palët, përderisa Prokurori i Shtetit dhe pala e dëmtuar kishin kërkuar burgim të përjetshëm, mbrojtja kishte kërkuar një dënim më të butë.

Por, më 1 mars 2019, Gjykata e Apelit, kishte njoftuar se kishte ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe Ndrecajn e kishte dënuar me burgim të përjetshëm.

Në komunikatën e Gjykatës së Apelit thuhej se veprimet e të akuzuarit Ndrecaj janë ri cilësuar si “vrasje e rëndë” nga neni 179, paragrafi 1, nën-paragrafi 1.11., i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), dhe ndaj tij është shqiptuar dënimi me burg të përjetshëm.

Sipas Apelit, gjykata e shkalles së parë, nuk i ka vlerësuar në mënyrë të drejtë rrethanat rënduese, e ato posaçërisht rënduese dhe se këto rrethana mbizotërojnë shumëfish më tepër se ato lehtësuese.

Mirëpo, më pas Gjykata Supreme e Kosovës e ka kthyer rastin në rigjykim, duke prishur kështu vendimet e Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe asaj të Apelit.Kolegji i Gjykatës Supreme, kishte gjetur se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se gjykata e shkallës së dytë, në pranimin e këtyre defekteve, në procedurën e pranimit të fajësisë, ka qenë e detyruar që aktgjykimin ta shqyrtojë dhe ta anulojë atë, e jo të kalojë mbi këtë shkelje, e cila është e pranishme dhe që kushtëzon cilësimin juridik, ngase mund të bëhet fjalë për vrasje të rëndë nga neni 179 par.1 nënp.1.11.të KPK-ës, vetëm nëse dy e më shumë vrasje janë kryer me dashje.

Sipas aktakuzës, i akuzuari më 7 gusht 2018, në Gjakovë, në shtëpinë e familjes së viktimës, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij V.N, dhe vajzën e tij K.N.

Pamje nga momenti kur Nrecaj dënohet me 24 vite burg për vrasjen e gruas dhe vajzës: