Reagime të ashpra pas kërcënimit të Sali Zybës së VV-së ndaj Shpend Ahmetit: Nis hakmarrja e VV-së!

Zyrtari i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për deputet nga ky subjekt, Salih Zyba, me anë të një shkrimi në Facebook ka kërcënuar kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin.

Zyba ka thënë se prej që ka fituar Lëvizja Vetëvendosje, pyetja më e shpeshtë që i bëhet atij është se “a më shumë ke vota ti a Shpend Ahmeti?”.

“I sigurtë jam që Shpendi përveç që nuk do të jetë deputet, nuk do të jetë as kryetar komune”, ka shkruar Zyba.

Tutje ai e ka krahasuar Ahmetin me ish-kryetarin e Kaçanikut, Xhabir Zharku, i cili ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për shkelje të ligjit me tre vjet burg. Zharku pas marrjes së vendimit ishte larguar nga Kosova dhe kishte shkuar të arratisej në Suedi deri sa i përfundoi dënimi.

“E vendin ku do të jetojë ka të drejtë ta zgjedhë si Xhabir Zharku”, ka shkruar Zyba duke kërcënuar me Zharkun.

E ndaj kërcënimi të hapur për Ahmetin kanë reaguar shumë persona sonte në Facebook.

Sipas analistit Astrit Gashi, Sali Zyba sapo e përndjeku Shpend Ahmetin nga Kosova.

“Mire e paska nisë hakmarrjen (që nuk duhet me be ndaj askujt) nga ma i ligu e nga ish bashkëpartiaku. Tuxan që shet trimni me voten e huaj. Albini duhet të reagoj e ti tregoj qytetarëve: Nëse kanë votuar Albinin për të marrë Saliun! A e kanë votu ndryshimin apo përndjekjen e linçmin! Unë besoj në të parn!”, ka shkruar Gashi, transmeton Ballkani.info.

Ndërsa gazetari dhe publicisti Adriatik Kelmendi, thotë se nëse VV-ja deri tash nuk e ka “heqë” Shpend Ahmetin nga kryetari i Prishtinës, tash kur po konfirmohet si partia më e madhe duhet të jetë pikërisht VV-ja ajo e cila do të kujdeset që të mos i mungojë qimja e flokut.

“Vetë e kanë kandidu’, vetë e kanë votu’, vetë e kanë mbrojtë sa herë që ai është kritiku’. Tash, nga pozita e të fortit është kollaj të sulmohet i dobëti. Dhe, vlen gjithmonë, për ta njohur vërtet një njeri mvishe atë me pak pushtet. Albini sot ka më shumë pushtet se ç’ka pasur ndonjëherë. Është në dorë të tij të na bëjë të mburremi, ose të zhgënjehemi”, ka shkruar Kelmendi.

E Agron Demi thotë se ky është një shembull qysh nuk duhet me u sjell një përfaqësues i pushtetit.

“Po shpresoj që injoranta si ky nuk ka me pas në Kuvend, as nga pozita e as nga opozita”, ka shkruar ai.

Kujtojmë se Shpend Ahmeti është kryetar i komunës së Prishtinës prej vitit 2013. Kohën kur ai e kishte fituar këtë komunë ka qenë anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe qëndroi aty deri sa u largua së bashku me një grup deputetësh në vitin 2018 dhe krijuan subjektin e tyre politik, PSD’në. /Ballkani.info/

loading…