Reagim i Telekomit: Publicitet me deklarata të nxjerra nga konteksti dhe të keqinterpretuara

Të nderuar kolegë të mediave,

Në harmoni me etikën e profesionit dhe me ligjin, ju lusim që në mediat e juaja të publikoni të plotë këtë reagim lidhur me deklaratën e nxjerrë nga konteksti dhe të keqinterpretuar të z. Lamih Balaj, Kryetar i SP-PTK. (Lamih Balaj: “Ushtruesen e detyrës së kryeshefes së Telekomit unë muj me ngreh zhag me qitë jashtë”)

E kuptojmë nevojën e mediave për publicitet, gjithashtu edhe për promovimin e aktiviteteve dhe frymës kritike, qoftë për çështje profesionale, politike apo sindikaliste, gjithnjë në suazat e një dialogu publik social të argumentuar. Sidoqoftë, në rastin e intervistës së zotit Balaj, një fjali e nxjerrë nga konteksti e bënë z. Balaj të duket ashtu si ai nuk është në të vërtetë, pra arrogant, arkaik, personazh i një kohe pa shtet, kur individët apo strukturat jokompetente në mungesë të ligjit e kanë marrë ligjin vet në dorë. Besojmë se pajtohemi që ka perënduar koha kur dikush në emër të këtij apo atij, të këtyre apo atyre vlerave ka mundur të “ngreh zhag” njerëzit nëpër institucione apo gjetiu, duke mos respektuar asnjë vlerë dhe askënd.

Telekomi i Kosovës, duke e mirëkuptuar edhe nevojën për promovim (e pse jo edhe për vetë promovim), megjithatë e konsideron si jokorrekte nga disa media që zoti Balaj të interpretohet si person i cili ka synime të zhvlerësojë punën që e ka bërë dhe po e bënë ky menaxhment për ta rimëkëmbur kompaninë dhe për ta nxjerrë nga grupet e interesit apo politika. Fatkeqësisht, të gjitha fjalët pozitive që i tha zoti Balaj në intervistë për punët e mira që janë bërë dhe po bëhen në kompaninë tonë, bien në hije nga një deklaratë e nxjerrë nga konteksti dhe e keqinterpretuar.

Telekomi i Kosovës njeh meritat edhe të sindikatës dhe personalisht edhe të zotit Balaj, të cilët kanë përkrahur denoncimin e keqmenaxhimit, vendimmarrjeve të gabuara dhe keqpërdorimeve, krimeve të kryera në këtë kompani përmes kontratave të pafavorshme (publikisht të dyshuara si korruptive), emërimeve dhe gradimeve arbitrare etj.

Gjithashtu, sindikatat në Telekom kanë përkrahur menaxhmentin në procesin e ristrukturimit, si hap të domosdoshëm për ringritjen e kompanisë, kanë përkrahur rikthimin e investimeve strategjike pas shumë vitesh, sidomos atyre në teknologji, kanë përkrahur masat për rritjen e disiplinës në punë dhe ofertën për pakot dalëse vullnetare që ka për synim uljen e shpenzimeve tejet të larta e të panevojshme operative. Për hir të korrektësisë, duhet theksuar se sindikata ka përkrahur edhe shumë angazhime të këtij menaxhmenti për të bërë funksionale dhe efektive kompaninë, duke e vënë atë 24/7 në shërbim të konsumatorëve e qytetarëve.

Mirëpo, edhe pse qëllimi është i njëjtë, rimëkëmbja e Telekomit, ju e keni të qartë se sindikata nuk është pjesë e menaxhmentit të lartë dhe as e Bordit, prandaj edhe i kuptoni rolet e ndara, përkundrejt bashkëpunimit të vazhdueshëm. Mediat, shpeshherë kur nuk kanë qasje te menaxhmenti, merren me spekulime, thashetheme dhe shpesh krijojnë perceptim të gabuar te publiku, duke ndërtuar storie me komentet e personave që nuk janë kompetent të fushës dhe nuk janë të thirrur t’i interpretojnë çështjet e ndryshme krejtësisht profesionale. Ndërtimi i publicitetit me nxjerrje jashtë konteksti dhe me keqinterpretim të komenteve bie ndesh me etikën profesionale dhe ngatërron misionin e informimit të publikut me argëtimin e masave me tema joekzistuese.  

Telekomi i Kosovës është krejtësisht i hapur, transparent dhe bashkëpunues me mediat, në çdo kohë! Është e vërtetë se si kompani jemi përcaktuar që të merremi fillimisht me punë dhe me probleme të shumta që kemi trashëguar, pa bërë shumë zhurmë për sukseset, përderisa ende nuk kemi dalë nga zona e vështirësive, por mbesim të hapur edhe për prononcime publike të menaxhmentit dhe personave kyç të interesit kurdo kur shtrohen çështje të rëndësishme për kompaninë dhe publikun. Ky menaxhment mbetet i dedikuar që të punojë në shërbim të publikut dhe në mbrojtje të të drejtave ligjore të punëtorëve të saj duke ritheksuar se keqinterpretimet nuk i bëjnë nder askujt në asnjë rrethanë.

Me respekt,

Fadil Lepaja,

UD Drejtor për Relacione me Publikun