SBASHK

Reagim i SBASHK-ut drejtuar Ministrit të MASHT, Shyqiri Bytyqi

Ministër pa SBASHK-un iniciativat për arsimin vështirë të realizohen. SBASHK-u është zëri i vetëm dhe legjitim i të punësuarve në sektorin e arsimit, që nga çerdhet e deri në Universitet. Këtë e dinë edhe Qeveria, edhe opinioni vendor, por edhe institucionet ndërkombëtare.

Këtë të vërtetë e për tekat e tij ka nisur të harrojë Ministri Shyqiri Bytyqi.

SBASHK me angazhime e veprimtari konkrete ka dëshmuar se është i përkushtuar për realizimin e të drejtave legjitime të anëtarësisë, por edhe për ngritjen e vazhdueshme të cilësisë në arsim.

SBASHK-u këtë gatishmëri e ka shprehur edhe në takimet e dikurshme me Ministrin Bytyqi, por ia ka bërë me dije, po ashtu, se nuk bën kompromise e lëshime kur është fjala për realizimin e kërkesave të anëtarësisë.

Ministri Bytyqi bëri fare pak angazhime për Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës për vitet e 90-ta dhe tërë barrën në mbrojtjen dhe ecjen përpara të këtij ligji e kishte dhe ka SBASHK-u.

Ministri Bytyqi u informua me kohë nga SBASHK se Projektligji për pagat është degradues për sistemin arsimor dhe i ofroj Ministrit fakte e argumente duke i bërë thirrje që ai si pjesë e Qeverisë ta ngrit zërin dhe të angazhohet, ashti si edhe i takon, që punëtorët e arsimit të kenë vend meritor në këtë projektligj, por ai nuk bëri as një angazhim frytdhënës dhe përsëri po i mbetet barrë vetëm SBASHK-ut që të angazhohet që të ketë korrigjim në këtë projektligj me qëllim që punëtorët e arsimit të kenë vend meritor.

Ministri pas deklarimeve e kritikave të drejta e të bazuara të SBASHK-ut për iniciativa të ngutshme e të pa analizuara mirë të Ministrit ndaj arsimit, si duket mundohet të zgjedh një rrugë tepër të gabuar në tendencën për ta anashkaluar SBASHK-un në rrjedhat e proceset në arsim, por le ta di se pa SBASHK-un angazhimet për arsimin janë të gjykuara të dështojnë.

Do të dështojnë sepse SBASHK-u janë punëtorët e tërë arsimit të Kosovës dhe prandaj punëtorët e arsimit janë SBASHK-u dhe çdo anashkalim i takimeve me SBASHK-un dhe çdo tendencë që të formohen komisione që lidhen me arsimin nga çerdhet e deri në universitet pa përfaqësues të SBASHK e të institucioneve arsimore do të jenë të gjykuara për mossukses.

Ministër edhe vendimi juaj nr.465/ I datës 15 tetor 2018 për emërimin e Komisionit për zhvillimin e Strategjisë Nacionale për Arsimin e Lartë në përbërjen që ka është gabimi juaj i radhës. Nga 21 anëtarë të këtij komisioni ka përfaqësues të shoqërisë civile dhe të tjerë, por ka fare pak përfaqësues nga Universitetet, nga Akademia e shkencës dhe nga institutet shkencore.

Mungon në këtë listë edhe përfaqësuesi i SBASHK-ut. Lista të tilla pa përfshirë të merituarit mund të jenë mundësi për gabime dhe për ndonjë përjashtim të radhës nga institucionet ndërkombëtare të arsimit.

Ministër, SBASHK-u është shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit korrekt dhe i dialogut dhe këtë e di edhe Qeveria, edhe GIZ dhe shoqatat e institucionet tjera, por Ju i ikni tani e një kohë dialogut e takimeve.

Teksa Kryeministri Haradinaj i përgjigjet pozitivisht kërkesave tona për takime, teksa edhe ministrat tjerë e bëjnë të njëjtën gjë, Ju ka kohë që nuk u takuat me ne edhe pse të kemi dërguar vazhdimisht kërkesa për takime me qëllim që të debatojmë bashkë për iniciativat, hallet, sfidat dhe për të gjitha çështjet në arsim.

Përfaqësuesit e SBASHK janë përfaqësues legjitim të punëtorëve të arsimit sepse në mënyrën më demokratike kanë marrë besimin e nga anëtarësia përmes votës së lirë. Ju keni obligim të takoheni me ta edhe kur takimet dhe bashkëbisedat nuk janë fort të këndshme. Përfaqësuesit e SBASHK-ut nuk angazhohen për interesa personale, por janë zë i të gjithë të punuarve në arsim.

Respektoje këtë zë duke u angazhuar bashkërisht në shërbim të arsimit. Pa SBASHK-un nuk ecin dot proceset sepse ta kujtojmë edhe një herë punëtorët e arsimit nga çerdhet e edhe universitetet janë SBASHK-u.

Prandaj, duke analizuar gjithë këto kërkojmë nga Ju Ministër që të ndryshohet përbërja e \komisionit për zhvillimin e Strategjisë së Arsimit të lartë duke caktuar në të njerëz me bagazh nga arsimi i lartë .