Bashkimi Evropian ka paralajmëruar sanksione të mundshme ndaj Serbisë, sepse ajo nuk po bën asgjë për të kontribuar në deeskalimin e krizës në Kosovë.

Kështu ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“Kemi paraqitur masa ndaj Qeverisë së Kosovës, për shkak të pamundësisë së saj për të ndjekur rrugën evropiane drejt deeskalimit. Gjithçka që bëjmë, e bëjmë në koordinim me 27 anëtarët e BE-së dhe partnerët tanë të huaj, kryesisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne do të marrim masa edhe ndaj Serbisë nëse shtetet anëtare vlerësojnë se në atmosferën aktuale dhe duke marrë parasysh kontekstin aktual, Serbia nuk po bën asgjë për të qetësuar tensionin”, tha Stano në përgjigje të pyetjes së një gazetari.

Ja si raportojnë mediat rajonale për këtë.

Portali kroat Index shkruan se pas Kosovës, në “goditjen” e Brukselit mund të jetë edhe Serbia.

“Krizën e fundit e nisi Qeveria e Kosovës” është njëri prej titujve të këtij portali.

“Ne gjithashtu do të marrim masa kundër Serbisë nëse vendet anëtare vlerësojnë se në atmosferën aktuale dhe duke marrë parasysh kontekstin aktual, Serbia nuk po bën asgjë për të qetësuar tensionin”, tha Stano në përgjigje të pyetjes së një gazetari, siç raporton N1 e Zagrebit.

Në ndërkohë, pala kosovare, shkruan Oslobogjenje e Sarajevës, ka njoftuar se po tërheq 25 për qind të forcave policore të dislokuara në veri, ndërsa Beogradi këmbëngul se të gjitha njësitë policore të dislokuara shtesë duhet të tërhiqen,

“Zëdhënësi i Komisionit Evropian: Serbia nuk po bën asgjë për të qetësuar tensionet”, ka veçuar Oslobogjenje.

Portali Slobodna Bosna thotë se më 22 qershor, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe të sigurisë, Josep Borrell, ka thënë se në katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës, duhet të organizohen zgjedhje të veçanta sa më shpejt me pjesëmarrjen e serbëve, dhe se Kosova duhet të pezullojë operacionet policore në ato komuna dhe Serbia të sigurojë tërheqjen e demonstruesve.