Shkup – Në Samitin e sotëm për Planin e Rritjes në Shkup, udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, përfaqësuesit e BE-së dhe organizatat rajonale ripohuan përkushtimin e tyre për zbatimin e Planit të Rritjes së BE-së dhe për thellimin e bashkëpunimit rajonal përmes Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM).

Duke marrë pjesë në panelin e samitit kushtuar shtyllave të Planit të Rritjes, që përfshin zbatimin e agjendave të reformës dhe Planit të Veprimit për CRM-në, Sekretari i Përgjithshëm i RCC-së, Amer Kapetanović, paraqiti elementët kryesorë të Mjetit të ri të Monitorimit për Tregun e Përbashkët Rajonal, i cili është duke u zhvilluar nën koordinimin e RCC-së dhe synon të ndjekë në mënyrë transparente reformat në të gjitha segmentet e CRM-së. Ky mjet është përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj nevojës për zbatim të bazuar në prova, duke e përputhur përparimin e CRM-së me afatet kohore të Planit të Rritjes së BE-së. “Ta bëjmë të qartë: ky nuk është një ushtrim formal. Është një sistem i strukturuar, transparent dhe i bazuar në fakte, që do të na ndihmojë të gjithëve të përgjigjemi në një pyetje thelbësore: a po ecim përpara së bashku si rajon, dhe sa shpejt?” – tha Sekretari i Përgjithshëm i RCC-së, Amer Kapetanović.

Ky mjet do të konsolidojë informacionin nga secila ekonomi mbi ligjet, sistemet dhe marrëveshjet, do t’i verifikojë ato përmes mekanizmave të koordinimit rajonal dhe do të paraqesë gjetjet përmes një paneli online të përditësuar dhe një raporti vjetor. Qëllimi është forcimi i besimit, nxitja e reformave dhe sigurimi që përparimi rajonal të mos mbetet vetëm premtim, por të jetë i dëshmuar.

Kapetanović gjithashtu theksoi si arritjet ashtu edhe zbatimin e pabarabartë në të CRM 2.0, duke përmendur avancimet në transformimin digjital, brendimin rajonal të turizmit, financat e qëndrueshme dhe sigurinë kibernetike, ndërsa kërkoi përkushtim të ripërtërirë për zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme për lëvizshmëri. “Ky mjet i ri i monitorimit pasqyron kapacitetet gjithnjë e më të zhvilluara të qeverisjes në Ballkanin Perëndimor. Ai sjell strukturë atje ku më parë kishte informalitet. Dërgon një mesazh të qartë: Ballkani Perëndimor nuk po pret – po punon,” përfundoi Kapetanović.

Samiti mblodhi së bashku udhëheqës dhe ministra nga Ballkani Perëndimor, Komisioneren e BE-së për Zgjerim, zyrtarë të lartë të BE-së dhe drejtues të institucioneve rajonale dhe financiare, duke theksuar rëndësinë e llogaridhënies së përbashkët si shtyllë e integrimit rajonal. Në kuadër të samitit, Sekretari i Përgjithshëm i RCC-së, Amer Kapetanović, zhvilloi takime dypalëshe me Ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren e Shqipërisë, Majlinda Dhuka, si dhe me Zëvendësministrin e Financave të Maqedonisë së Veriut, Nikolche Jankulovski. Diskutimet u përqendruan në përshpejtimin e zbatimit të Tregut të Përbashkët Rajonal brenda Planit të Rritjes së BE-së dhe forcimin e integrimit financiar rajonal. U theksua rëndësia e procesit të negociatave të Shqipërisë me BE-në dhe anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në SEPA si hapa kyç drejt integrimit gradual të rajonit në Tregun Unik të BE-së.