Rasti në Gllogjan/ Policia thotë se numrat ku duhet të telefononi funksionojnë 24 orë

Policia e Kosovës ka reaguar pas raportimeve në disa media, se numrat e telefonit që janë vënë në dispozicion për rastin në Gllogjan, nuk  funksionojnë.

Në njoftimin e tyre thuhet se e-maili dhe dy numrat zyrtar të ofruar për kontakte janë funksional dhe shërbejnë 24 orë, raporton Indeksonline.

Tutje ata thonë se, vazhdojnë angazhimin maksimal në hetimin dhe ndriçimin sa më parë të këtij rasti, për të sjellë para drejtësisë kryerësin/it e kësaj vepre kriminale.

Njoftimi i plotë:

Policia e Kosovës, me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik, përmes këtij njoftimi zyrtar demanton shkrimin e publikuar në portalin gazeta express dhe tv T7, të publikuar sot me titullin “Shpërblehet kush jep informata në kapjen e vrasësit, por numri ku duhet të lajmëroheni nuk funksionon” dhe njëherit sqaron se;

Lidhur me rastin e vrasjes së rëndë të ndodhur në Gllogjan, Policia e Kosovës me të gjitha njësitet e saja relevante vazhdon angazhimin maksimal në hetimin dhe ndriçimin sa më parë të këtij rasti, për të sjellë para drejtësisë kryerësin/it e kësaj vepre kriminale.

Vlen të theksohet se shpërblimi i ofruar ka për qëllim t’a ndihmojë policinë me informacione për gjetjen e autorit/ve të këtij akti kriminal dhe arrestimin e tij/tyre.

Andaj e-maili dhe dy numrat zyrtar të ofruar për kontakte janë funksional dhe shërbejnë 24 orë, kështu që inkurajojmë të gjithë që të kontribuojmë në interes të zbardhjes sa më parë të këtij rasti.

Qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me këtë rast mund ato t’i dërgojnë në këta numra telefoni dhe e-mail adresën e poshtëshënuar:

Tel:-080019999 ose

– 192, dhe

e-mail: [email protected]

Thirrjet në këta numra të telefonit janë pa pagesë për të gjithë qytetarët dhe policia do ta ruaj striktë të drejtën e anonimitetit apo fshehtësisë së identitetit, përveçse nëse personat vetë, vullnetarisht deklarohen ndryshe.