“Medicus”

Rasti “Medicus”, mjeku Lutfi Dervishi lirohet nga paraburgimi

Duke qenë pronar i Klinikës “Medicus”, në të cilën dyshohet se janë bërë transplante ilegale të veshkave në periudhën e pasluftës, urologu Lutfi Dervishi, është liruar nga masa e paraburgimit dhe u dërgua në arrest shtëpiak.

Gazeta Express ka përcjellë gjykimet e rastit “Medicus”, ku kanë dëshmuar dhjetëra dëshmitarë për këtë rast.

Si pronar i kësaj klinike, “Medicus”, Lutfi Dervishi, i cili nga Prokuroria akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, i është ndërprerë masa e paraburgimit dhe u zëvendësua në masën e arrestit shtëpiak.

Lajmin e ka konfirmuar avokati i Dervishit, Besnik Berisha.

Berisha ka thënë Gjykata Themelore e Prishtinës ka marrë vendim për zavendësimin e masës së paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak.

“Masa e paraburgimit është zavendësuar me masën e arrestit shtëpiak për z. Lutfi Dervishi”, ka thënë avokati Berisha.

Vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës erdhi pasi Gjykata e Apelit e ktheu për të dytën herë rastin në rigjykim.

Vlen të theksohet se shëndetësia kosovare u njollos keq te ndërkombëtarët për shkak të rastit “Medicus”.

Në këtë klinikë thuhet se operacione ka kryer edhe mjeku turk, Yusuf Sonmez, i njohur si “Dr. Vampiri”. Ky etiketim i erdhi atij pasi, jo vetëm në Kosovë, por në shumë shtete të tjera ai ka kryer operacione të transplanteve të veshkave.