Një rast i tmerrshëm ka ndodhur dje në orët e mëngjesit në Pejë, ku një grua tentoi të bëjë vetëvrasje pasi u shtyt nga djali i saj. Sinjali mëson se viktima u dërgua në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim mjekësor dhe u njoftua edhe Policia e Kosovës.

Njësitë policore iu janë përgjigjur menjëherë rastit dhe kanë marrë veprime hetimore, duke intervistuar viktimën dhe disa dëshmitarë për të kuptuar rrethanat në të cilat ndodhi rasti.

Sipas burimeve tashmë kërkimet për të dyshuarin kanë nisur dhe i njëjti gjendet akoma në arrati, me ç’rast që janë njoftuar njësitet policore që nëse i njëjti haset të ndalohet.

Me urdhër të Prokurorit, rasti është iniciuar si “shtytje në vetëvrasje” dhe po zhvillohen hetime për ta kapur të dyshuarin.

Ndryshe, “shtytja në vetëvrasje” është vepër e ndëshkueshme me ligj.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës “Kushdo që shtytë ose ndihmon personin tjetër për të bërë vetëvrasje dhe vetëvrasja kryhet, dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet.” Por nëse si rezultat i veprës penale vetëm është tentuar vetëvrasja, dënimi mund të zbutet.