Gjatë ditës së djeshme në Klinë është regjistruar edhe një rast i ri me koronavirus.

Gjatë ditës së djeshme Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), ka bërë të ditur se edhe një person nga Klina ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, ka bërë të ditur se personi i prekur është një infermiere nga Çabiqi, por që punon dhe jeton në Prishtinë.

Ai ka bërë të ditur se infermierja punon në Spitalin Amerikan në Prishtinë.

Ndryshe, mbrëmë janë konfirmuar 79 raste të reja me COVID-19 në Kosovë, duke çuar në 362 numrin e të infektuarve.

Njoftimi i plotë i Elezajt, pa ndërhyrje:

Edhe një rast me Coronavirus nga Klina, me banim në Prishtinë (infermiere në Spitalin Amerikan)

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike sapo ka konfirmuar edhe një qytetare të komunës së Klinës nga fshati Çabiq, të diagnostifikuar me virus.

E infektuara me virus punon si infermiere në Spitalin Amerikan në Prishtinë dhe jeton në Prishtinë.

Megjithatë menjeherë do të fillojmë hulumtimin e kontakteve të mundshme me persona të tjerë nga Klina.

Tashmë numri i të infektuarve nga komuna e Klinës ka arritur në katër. Një shtetase italiane, që tashmë është shëruar dhe është kthyer në Itali.

Një rast nga karantina, i ardhur nga Mali i Zi, i cili nuk ka pasur kontakt me persona të tjerë.

Dhe dy infermiere, të cilat punojnë dhe jetojnë në Prishtinë, njëra në Klinikën Infektive në QKUK dhe personi i konfirmuar sot infermiere në Spitalin Amerikan.

Të nderuar qytetarë,

Ditët e fundit numri i të prekurve me virus po rritet e veçanërisht sot që janë konfirmuar 79 raste, andaj ju lus që me seriozitetin më të madh të respektoni udhëzimet e ekspertëve shëndetësor dhe vendimet e institucioneve.

Në asnjë mënyrë nuk duhet ta nënvlerësojmë rrezikun nga ky armik i padukshëm, në asnjë mënyrë nuk duhet të mendojmë që rreziku ka kaluar, javet në vijim janë me kritiket, duhet vetëm të shtojmë kujdesin dhe të respektojmë në përpikëri udhëzimet e ekspertëve.

Me virus mund të jemi infektuar secili nga ne e mos të jemi në dijeni dhe kështu mund ta përhapim tek më të dashurit tanë.

Zgjidhja e vetme për ta mposhtur virusin është të shmangim kontaktet me persona të tjerë e të mbajmë higjienën.

Është obligim njerëzor e moral i të gjithë neve që të zbatojmë udhëzimet e mjekëve.