Rasti i keqpërdorimit seksual të 16 vjeçares-shoqëria civile thërret protestë

Lidhur me rastin e keqpërdorimit seksual të 16 vjeçare nga Drenasi, sot është thirrur një protestë me moton “PRO Mësimit, JO Përdhunimit”

Protesta është organizuar nga shoqëria civile e Drenasit dhe do të mbahet me 8 shkurt ditën e premte. Sipas njoftimit marshi protestues nisë nga gjimnazi “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe vazhdon rrugës kryesore deri tek stacioni policorë në Drenas.

“Keqtrajtimi i kësaj të miture është sulm direkt ndaj të gjitha parimeve ligjore dhe morale, por mbi të gjitha, është mbjellje e frikës për të gjithë nxënësit aktual dhe gjeneratat e reja që do të vijnë. Prandaj, është koha tani ose kurrë që t’i dalim në mbrojtje viktimës dhe të sigurohemi që fajtorët të marrin dënimin e merituar. Kjo është e vetmja formë që shoqërisë sonë t’i kthehet besimi në institucionet tona”, thuhet në thirrjen për protestë.

Kërkesat e organizatorëve janë:

“1. Zotim publik nga komandantit i Policisë në Drenas me 5 pika.

2. Ndërprerja e licencës së doktorit dhe mbyllja e klinikës ku është kryer aborti i paligjshëm.

3. Largimi i profesorit nga shkolla.

4. Mbikëqyrje më rigoroze nga drejtori i shkollës”, thuhet në njoftimin e Këshillit Organizativ i Protestës.