MPJD

Rasti i irakianit që u kap me letërnjoftimin me emrin ‘Valdrin’, MPJ thotë se Kroacia nuk i ka njoftuar

Ministria e Punëve të Jashtme ka thënë se nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar me shkrim nga autoritet kroate, lidhur me rastin e shtetasit irakian, i cili pasi është kapur nga policia kufitare kroate, ka prezantuar një letërnjoftim të Republikës së Kosovës, të një personi të quajtur Valdrin Z. Nga MPJ thonë se është rregull që në raste të kësaj natyre të njoftohen Misionet Diplomatike dhe Postet Konsullore.

Javë më parë, mediat kroate raportuar se një profesor irakian i matematikës ka tentuar të identifikohet në kufirin kroat me një letërnjoftim të Republikës së Kosovës, me emrin Valdrin Z.

Sipas mediumit “Jutarnji”, 26-vjeçari Muhamed AF, kishte tentuar ilegalisht që ta kalojë kufirin, përmes pikës kufitare të Bajakovës. Synim i tij ishte Zvicra, po të mos arrestohej nga policia kroate.

Gazeta Express ka pyetur Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nëse kanë njohuri për rastin.  Nga MPJD thonë se nuk kanë pranuar asnjë njoftim zyrtar me shkrim nga autoritetet e Kroacisë lidhur me këtë rast.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Kroaci deri më tash nuk ka pranuar asnjë njoftim zyrtar me shkrim nga autoritetet e shtetit pritës në lidhje me rastin që i referoheni. Si rregull, Misionet tona Diplomatike dhe Postet Konsullore njoftohen me shkrim në raste të kësaj natyre”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie për Express.

Se si arriti i riu irakian që ta merrte dokumentin e Republikës së Kosovës, saktësisht nuk dihet. Ministria e Punëve të Brendshme, që është institucioni që i lëshon këto dokumente identifikimi, s’është përgjigjur për këtë çështje, vetëm ka thënë se me rastin në fjalë merret MPJ’ja.

Një version se si arriti ta merrte letërnjoftimin e Republikës së Kosovës, 26-vjeçari e ka dhënë para gjykatës.

Ai ka përshkruar se një vit më parë ka ardhur në Kosovë nga Iraku, prej nga ka arritur në Serbi ilegalisht, pa i treguar askund dokumentet.

Dokumentin në fjalë ka thënë se ia ka dhënë një shofer që e ka marrë në Serbi, por se emrin e tij nuk e di.

“Pastaj erdha në Kroaci. Dhe i gjithë udhëtimi ishte organizuar për mua në Kosovë dhe doja të shkoja në Bazel. Shoferi që më ka marrë në Serbi ma ka dhënë letërnjoftimin në emër të Valdarinit, por emrin nuk e di. Erdha në Kroaci me ndihmën e një udhërrëfyesi nëpër pyll. Pas kësaj, shoferi më tregoi makinën në të cilën duhet të hipja. Se me të hyrë në makinë, shoferi më bërtiste: ‘Policë! Dilni nga makina dhe vraponi në tualet!’. Dhe unë e bëra atë. Shkova në tualet ku policia erdhi shumë shpejt dhe trokiti në derë. Unë dola dhe, me kërkesën e tyre, u dhashë atyre ID-në e dikujt tjetër si timen “, ka deklaruar profesori irakian.

Për irakianin në fjalë, mediumi kroat raporton se ai ka përfunduar në paraburgim dhe se është ndjekur penalisht për keqpërdorim të dokumentit të identifikimit.

Ndaj tij, për një kohë të shkurtës është ngritur aktakuzë dhe gjykata, me propozim të prokurorisë, e ka dënuar me pesë muaj burgim me kusht, me një periudhë prove njëvjeçare. Ai duhet të paguajë edhe 66.36 euro shpenzime gjyqësore.

VIDEO BONUS: Haliti s’i përjashton koalicionet: Do punojmë për të dalë partia e parë