Rasti Brezovica, u sekuestruan mbi 70 vila – aksioni vazhdon edhe për rreth 500 objekte të tjera pa leje

Rreth 76 objekte janë sekuestruar përkohësisht në aksionin për sekuestrimin e objekteve të ndërtuara në Brezovicë në Zonën e II-të të Parkut Kombëtar “Sharri”, të cilat janë ndërtuar në kundërshtim me Ligjin.

Kështu tha në një prononcim për Telegrafin prokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Rasim Maloku.

Sipas tij, në këtë aksion janë sekuestruar rreth 76 objekte të ndërtuara në Brezovicë në Zonën e II-të të Parkut Kombëtar “Sharri”.

Maloku theksoi se aksioni për zonën e dytë ka përfunduar e tash pritet të fillojë për zonën e tretë.

Ai tha se do të fillojnë me aksionin për në zonën e tretë, por siç u shpreh ai janë duke pritur që të kryejnë raportin për zonën e dytë dhe më pas të marrin një raport nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe më pas të veprojnë me organet kompetente.

“E kemi përfunduar me zonën e dytë dhe tash po shikojmë të fillojmë me zonën e tretë dhe kjo pritet javën tjetër se kemi dhe obligime tjera…Tash duhet me i bo raportet dhe t’i dorëzojmë në gjykatë. Kjo është e ndarë në tri zona, pasi në zonën e parë nuk ka ndërtime, vetëm e dyta dhe e treta ka ndërtime. Tash do të vazhdojmë me të tretën, me ndërtimet që janë në kundërshtim me ligjin. Besoj që javën tjetër, por duhet me i harmonizu dhe me shumë institucionet, por do të ju njoftojmë. Janë rreth 76 objekte që janë sekuestruar në këtë aksion”, ka thënë Maloku.

Prokurori Maloku tregoi se në zonën e tretë janë mbi 500 objekte të ndërtuara.

“Aty ka shumë objekte, janë diku mbi 500 objekte por do të marrim raportin prej Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, ka thënë ndër të tjera prokurori, Rasim Maloku.

Ndryshe, sipas njoftimit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj këto objekte janë ndërtuar në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” si dhe Planin Hapësinor për Pakun Kombëtar “Sharri”.

Këto objekte siç bëhej e ditur nga prokuroria, “janë ndërtuar duke keqpërdorur detyrën zyrtare nga të pandehurit në këtë rast, me lëshimin e lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjet që rregullojnë Parkun Kombëtar ‘Sharri’, me marrje të ryshfetit, dhënie të ryshfetit, me çka kanë degraduar mjedisin në këtë zonë, kështu që edhe objektet janë rrjedhojë e veprave penale të përshkruara më lartë”.