Një javë më parë Policia e Kosovës, ka njoftuar që zyrtarët policorë të rendit publik të disa drejtorive rajonale dhe stacioneve policore, janë pajisur me armë të gjata, të cilat do ti bartin gjatë patrullimit.
Në një intervistë me Ballkani.info Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka bërë të ditur që ndër arsyet e pajisjes së zyrtarëve policor me armë të gjata, kanë të bëjnë me shtimin e grabitjeve dhe të disa incidenteve.
“E dini që kah fundi i vitit 2018, ne kemi pasur një numër të grabitjeve në nivel vendi. Kemi pasur disa incidente dhe në kuadër të këtyre grabitjeve kemi pasur edhe disa të shtëna në drejtim të policisë nga keqbërësit apo nga kryersit e këtyre veprave penale dhe poashtu patëm rastin e vrasjes së një polici dhe të një kryersi të veprës penale në Istog, dhe menjëherë ne duhet të ofrojmë kushte shtesë për sigurimin e jetës së policëve, e në këtë kontekst është pajisja e tyre me armë të gjata, pra secila patrollë do të pajiset me nga një armë të gjatë. Fillimisht, ne kemi vendosur për qytetin e Prishtinës, për Pejën, për Gjakovën duke i konsideruar rajonet më të atakuara nga keqbërësit. Mirëpo, gradualisht do të pajisen të gjitha patrollat policore në nivel vendi, me armë të gjata, në mënyrë që policët të jenë në gjendje që të reagojnë në mënyrë të sigurtë ndaj të gjithë njerzëve të rrezikshëm për jetën dhe trupin e policit”, ka thënë Qalaj.
Sipas burimeve të Balkani.info, bëhet e ditur që Gjermania, ka ekstraduar rreth 20 shtetas kosovar apo i ka liruar me kusht që ata të mos hyjnë më në Gjermani. Shtetasit në fjalë kanë kryer vepra penale. I pyetur nëse kjo është njëra nga arsyet e pajisjes me armë të gjata nga ana e Policisë së Kosovës, Qalaj, thotë që nuk është në dijeni që një numër i tillë është ekstraduar me kusht dhe se Kosova nuk ndihet e rrezikuar nga individët e tillë.
“Unë, fillimisht nuk e kam informatën që janë larguar nga Gjermania një numër i tillë, i njerëzve të cilët kanë kryer vepra penale atje dhe janë liruar me kusht apo kusht që të mos kthehen në Gjermani. Mund të konstatoj që njeriu që është vrarë nga polici në Istog, ka qenë njëri që është larguar nga një shtet evropian dhe që ka kryer vepra penale në vendin ku ka qenë. Mirëpo, Kosova nuk ndihet e kërcënuar nga këta njerëz. Meqenëse, Kosova ka institucione, ka polici, ka institucione tjera të sigurisë, pra Kosova është mjaft e sigurtë” ka përfunduar Qalaj. /Ballkani.info/







