Policia e Kosovës, përkundër shumë sfidave ka ngritur në nivel të lartë konsideratën për të, duke u bërë institucion me të cilën krenohemi të gjithë.
Luftimi i ekstremizmit, parandalimi i akteve terroriste, zbulimi i rrjeteve kriminale, si trafikimi i njerëzve dhe luftimi i dukurive negative, ka bërë që Policia e Kosovës të vlerësohet lart edhe nga Departamenti i Shtetit në Uashington.
Në një intervistë me Ballkani.info Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka folur për reformat që ka sjellur nga momenti që është vë në krye të institucionit të sigurisë, të një institucioni që përballet me rrezikun 24 orë, të një institucioni që është i thirrur të mbrojë pronën dhe dhe jetën e qytetarëve, pra të një institucioni siç është Policia e Kosovës.
“Secili drejtues i ri i një organizate duhet të ketë aktivitete të reja në atë organizatë, në mënyrë që të shtyjë organizatën përpara në përmbushjen e mandatit, në përmbushjen obligimeve dhe normalisht që kërkesat për përmbushjen e mandatit respektivisht obligimeve kërkojnë edhe angazhim shtesë të të gjithë stafit jo vetëm të drejtuesit apo drejtorit. Ne që në fillim, së bashku me stafin menaxhues të Policisë së Kosovës kemi vendosur që krijojmë një frymë të re nga aspekti i aktiviteteve policore, fillimisht duke ngritur diciplinën në kuadër të organizatës e pastaj duke i krijuar disa struktura standarde të cilat ne mendojmë do të ngrisin performancën e secilit prej nesh dhe do të ketë një performancë më të mirë të organizatës që unë e drejtoj”, ka potencuar Qalaj.
Qalaj, tregon që në kuadër të reformave e ka parë të rrugës që zyrtarët policor të graduar të pozicionohen në ato pozita të reja në kuadër të njësive të ndryshme të Policisë së Kosovës, për të ngritur në nivelin e duhur performancën policore.
“E dini që fillimisht kemi pasur një proces të promovimit menjëherë pas emërimit tim në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës dhe një nga kriteret që kemi vendosur në atë kohë është që secili person që promovohet pozita e tij, do të jetë karshi nevojave të Policisë së Kosovës e jo karshi nevojave të individit. Në këtë kontekst fillimisht kemi bërë që pozicionimin e kolegëve që janë graduar në pozitat e reja në kuadër të njësive të ndryshme të Policisë së Kosovës, dhe po ashtu kemi bërë disa ndryshime në disa njësi që ne i kemi konsideruar lëvizje të nevojshme për një performancë më të mire”, ka shtuar Qalaj.
Drejtori i Përgjithshëm, tregon që ndryshimet janë duke vazhduar në strukturimin organizativ.
“Ndryshimet janë duke vazhduar edhe ditën e sotme, ne aktualisht jemi duke u marrë me reformimin e strukturës policore, do të bëjmë disa ndryshime në kuadër të strukturës organizative që besoj se do të përfundojë shumë shpejtë. Në këtë kuadër kemi bërë shumë, sidomos në pjesën e Drejtorisë së Përgjithshme, disa ndryshime mjaft të rëndësishme që ne konsiderojmë që do të kenë efekt në punën policore. Kemi forcuar mjaft shumë njësinë për hetimin e brendshëm apo siç ne e quajmë drejtorinë për hetime të brendshme ose Standardeve Profesionale, dhe në kuadër të kësaj drejtorie kemi vendosur që përveç hetimeve të brendshme kjo drejtori të merret edhe me konfliktin e interesit. Kjo drejtori do të merret edhe me integritetin policor. Pra, në kuadër të kësaj drejtorie, do të krijohen njësi të reja që do t’i mbulojnë këto fusha, që i ceka më herët”, ka treguar Qalaj.
Tutje, Qalaj, nuk lë anash as riorganizmin e Njësive Speciale, përkundrazi thotë që do të dyfishohet numri i NJSO-së, për mundësuar zhvillim të operacioneve më mirë të organizuara dhe stafi të përdorët më racionalisht.
“Po ashtu, kemi bërë një ngritje dhe një riorganizim të Njësive tona Speciale dhe tani numri i operatorëve në Njësinë Speciale Operative do të jetë përafërsisht dyfish më i madh. Ky numër na mundëson që të kemi zhvillim të operacioneve më mirë të organizuara dhe stafi të përdorët më racionalisht, gjithmonë duke pasur në konsideratë edhe çështjen e përgatitjes fizike të operatorëve të njësive speciale, trajtimit të tyre, pushimit të tyre, angazhimit të tyre në mënyrë që edhe të kryhen punët po në të njëjtën kohë edhe të kujdesen për aspektin fizik të kolegëve tanë dhe shëndetin e tyre”, ka thënë Qalaj.
Qalaj gjithashtu për Ballkani.info ka treguar që në kuadër të drejtorive rajonale do të jenë edhe njësitë për hetimin e krimeve kibernetike.
“Po ashtu, në kuadër të këtij reformimi të strukturës organizative siç kemi thënë dhe kemi premtuar edhe në fillim, në kuadër të drejtorive rajonale do të jenë edhe njësitë për hetimin e krimeve kibernetike, meqenëse aktualisht i kemi vetëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe këto njësi në kuadër të drejtorive rajonale do të jenë njësi mjaft të vogla të cilët fillimisht policët që punojnë në këto njësi do të trajnohen, do të zhvillohen dhe të përgatiten që të merren me krimet kibernetike dhe kryesisht këto trajnime do t’i zhvillojmë me partnerët tanë strategjik, në mënyrë që teknikisht edhe të pajisen me pajisje por edhe me njohuri teknologjike në mënyrë që të kryhen hetimet”, ka shtuar Qalaj.
Krahas njësive tjera në kuadër të Drejtorisë së Përgjtihshme, Qalaj, tregon që tanimë do të jetë edhe Njësia e Inspektimit, që të shtrihet kontrolli më i lehtë dhe inspektimi më i lehtë i zyrtarëve tanë policor.
“Poashtu, në kuadër të drejtorive rajonale do të kemi edhe Njësinë e Inspektimit pra në nivelin qëndror ato do të jenë në kuadër të Drejtorisë së Përgjithshme, në kuadër të drejtorisë për hetime të Standardeve Profesionale, mirëpo në vijë vertikale do të jenë edhe nëpër drejtori rajonale në mënyrë që të shtrihet kontrolli më i lehtë dhe inspektimi më i lehtë i zyrtarëve tanë policor. Pra, janë duke u bërë disa reforma mjaft të rëndësishme në kuadër të strukturës organizative të Policisë së Kosovës që ne konsiderojmë që do të kenë efekt në punë dhe pasqyrimin sa më të mirë të Policisë së Kosovës”, ka thënë ndër të tjera Qalaj.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj, krahas këtyre reformave nuk e ka lë anash as Zyrën për Media, madje ai ka treguar që e ka shtuar numrin e personelit. Dhe, si rezulatat i kësaj kjo zyre funksionon nga ora tetë (8) në mëngjes deri në ora njëzet e katër (24) në mesnatë.
“Poashtu , është shtuar numri i personelit në zyrën që e kemi në media dhe tani përveç një majori që e kemi aty, e kemi edhe një majore që është vendosur para disa dite në pozitë dhe besoj që kemi kompletuar stafin në mënyrë që kjo zyre të funksionojë nga ora tetë (8) në mëngjes deri në ora njëzet e katër (24) në mesnatë. Konsideroj që shumë shpejt do të kemi një trajnim shumë të rëndësishëm për zyrën për media, trajnim të cilin është duke na e siguruar partneri strategjik, ku do të sjellin trajnerë nga Son Antonio, në mënyrë që Zyra për Media të jetë shumë më e përgatitur dhe të ketë një çasje pak më ndryshe në raport me mediat”, ka përfunduar Qalaj./Ballkani.info/
https://www.youtube.com/watch?v=im2yXzckKZQ







