Rashica pritet të jetë i gatshëm kundër Augsburgut

Te Werder Bremeni po shpresojnë ta kenë në dispozicion sulmuesin e Kosovës, Milot Rashica, për ndeshjen kampionale kundër Augsburgut, kanë njoftuar të hënën mediumet gjermane.

Rashica i ka munguar Werderit në gjashtë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, por së fundi është kthyer në stërvitje dhe në klub po besojnë se ai do të jetë i gatshëm për ndeshjen që Werderi e luan më 16 janar.

Rashica do t’i mungojë Bremenit për ndeshjen e së shtunës kundër Bayer Leverkusenit por pritet të jetë i gatshëm për atë në shtëpi ndaj Augsburgut.

“Plani është që Miloti të jetë i gatshëm për ndeshjen kundër Augsburgut. Ne do t’i intensifikojmë stërvitjet e tij gjatë këtyre ditëve në mënyrë që të mund të llogarisim për duelin e Augsburgut”, ka thënë drejtori sportiv i Werderit, Frank Baumann.

Rashica 24-vjeçar, këtë sezon ka vetëm pesë paraqitje në Bundesligë.