Rashica mezi pret të luajë për Norwichin: Jam shumë i lumtur dhe i ngazëllyer që jam këtu

Milot Rashica do të bartë numrin 17-të te Norwich City. Të enjten, futbollisti nga Vushtrria ka folur për herë të parë si lojtar i klubit anglez.

“Unë jam shumë i lumtur dhe i ngazëllyer që jam këtu. Thjeshtë mezi pres të fillojë. Jam vendosur mirë këtu me familjen time. Gjithçka ishte gati dhe e përgatitur për ne. Unë kam stërvitur me djemtë dhe vërtetë po e shijojë këtë moment”, tha Rashica në një intervistë për faqen zyrtare të klubit.

24-vjeçari zbuloi se edhe më herët ka pasur interesim nga Norwichin, por vetën në këtë verë u arrit marrëveshja.

“Kam biseduar me trajnerin dhe ai më ka treguar se çka dëshiron nga unë. Mendoj se mund të përshtatem me stilin e lojës së skuadrës. Nuk më është dashur shumë të mendoja që ta vijë këtu”, theksoi Rashica.

Rashica konfirmon se nuk e ka njohur personalisht asnjë lojtarë të Norwichit. Thotë se është takuar vetëm me Teemu Pukkin në ndeshjen, Kosovë – Finlandë.

“Unë nuk e njihja askënd nga djemtë këtu, por ata u kujdesën për mua kështu që tani ndihem sikur jam këtu që një kohë të gjatë”, shtoi Rashica, i cili e cilëson si hap të madh largimin nga Holanda drejt Gjermanisë.

Thekson se tani është gati për sfidën e radhës.

Ndeshjen e parë në Premier League, Norwichi e luan kundër Liverpoolit. Rashica mendon se dueli me Liverpoolin do të jetë i vështirë, por premton maksimumin.

Në fund futbollisti kosovar shpreson që ndeshjet të luhen me shikues.