NBA

Raptors “shkatërron” Warriors, Anthony Davis ndëshkon Thunder

U zhvilluan plot 11 ndeshje në NBA, ku pritshmëritë ishin më të mëdha për përplasjen mes Golden State dhe Torontos në “Oracle Arena” të Oaklandit.

Raptors ndërprenë serinë pozitive të Warriors, duke fituar me rezultatin 93-113, ku përcaktuese ishte pjesa e parë e përballjes, me skuadrën kanadeze që siguroi një avantazh prej 18 pikësh, për ta administruar më qetësi lojën në dy periodat e fundit.

Kevin Durant e bëri mirë pjesën e tij, duke shënuar 30 pikë, por u mbështet pak nga pjesa tjetër e skuadrës, me Klay Thompson dhe Stehen Curryn që shënuan vetëm 14 dhe 10 pikë secili. Raptors u bazuan më shumë në lojën në grup, të udhëhequr nga dyshja Lowry-Ibaka me 43 pikë në total.

Më shumë interes u prit edhe përballja mes Indiana Pacers dhe Milwaukee Bukcs, që u mbyll me fitoren e vendësve me rezultatin 113-97. Edhe në këtë sfidë ndikoi më së shumti diferenca prej 19 pikësh e krijuar në mesin e periodës së dytë, që u dha mundësi Pacers të ishin më të qetë në vazhdimin e lojës.

Plot 6 basketbollistë të Indianas shënuan 12 apo më shumë pikë, ku u dalluan Young e Turner respektivisht me 25 dhe 23 pikë, ndërsa për Bucks më i miri rezultoi Bladsoe me 26 pikë. Për Pacers kjo ishte fitorja e 18 sezonale, aq sa ka arritur edhe Milwaukee.

New Orleans Pelicans, falë formës se jashtëzakonshme të Anthony Davis, kaloi 118-114 Oklahoma City Thunder. “Ylli” i Pelicans e mbylli takimin me statistika të frikshme, plot 44 pikë e 18 topa të kontrolluar poshtë koshit. Nuk mjaftuan 25 pikë dhe 11 “rebound” të Paul George për Thunder, që para kësaj ndeshjeje kishin një ecuri pozitive prej 4 fitoresh dhe vetëm 1 humbjeje.

Boston Celtics arritën të fitonin vetëm pas kohës shtesë 125-130 në parketin e Washington Wizards, falë Irving, që kishte statistikat më të mira me 38 pikë dhe 7 asiste, duke fituar edhe duelin brenda sfidës me Wall që realizoi 34 pikë dhe dha plot 13 asiste.

Fitore në frymën e fundit për Charlotte Hornets, që iu imponuan me vëtëm një pikë më shumë, 108-107, Detroit Pistons. Kemba Walker ishte inspiruesi i skuadrës që zotërohet nga legjenda Michael Jordan me 31 pikë, 9 asite dhe 8 topa “rebound”.

Rezultatet e tjera:

Philadelphia 76ers-Brooklyn Nets 124-127

Memphis Grizzlies-Portland Trail Blazers 92-83

Dallas Mavericks-Atlanta Hawks 114-107

Sacramento Kings-Minnesota Timberwolves 141-130

Cleveland Cavaliers-New York Knicks 113-106

Utah Jazz-Miami Heat 111-84