Mediat serbe raportuan se një automjet që po transportonte dinarë serbë është ndaluar në pikëkalimin kufitar me Serbinë në Jarinjë.
Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci i tha Gazetës Express se në këtë pikëkalim kufitar u paraqitën disa persona si përfaqësues të “Komercijalna Banka” e cila është mbyllur.
“Në pikëkalimin kufitar të Jarinjës janë paraqitur disa persona që pretendojnë se përfaqësojnë Komercijalna Banka, e cila tashmë është mbyllur”, tha Stavileci.
Sipas tij, “këta persona janë interesuar për procedurën e lëvizjes së parave të gatshme”.
“Të njëjtit janë udhëzuar që t’i ndjekin njoftimet e BQK-së derisa Dogana e Kosovës po ashtu zbaton normat e njëjta ligjor”, tha Stavileci.
Disa media serbe raportuan se në Jarinjë “është ndaluar sërish transporti i dinarëve” dhe se zyrtarë të bankës serbe dhe të kompanisë ndërkombëtare Henderson, “janë kërcënuar me arrestim”.
Sipas raportimeve, një furgon i blinduar me dinarë të destinuar për pagesën e pagave, pensioneve, përfitimeve sociale dhe pagesave tjera për serbët në Kosovë u ndalua në Jarinjë.
Automjeti raportohet se mbërriti në pikëkalimin kufitar pak para orës 11:00 me synimin për t’i dërguar paratë në kasafortën e Bankës Kombëtare të Serbisë në Leposaviq.
Banka e Serbisë prej vitesh i ka dërguar dinarët në një kasafortë në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës, dhe ato më pas janë transportuar nga kompania “Henderson”.
Për këtë rast ka reaguar edhe Zyra për Kosovën në qeverinë serbe, e cila tha se automjeti u ndalua “me urdhër të Albin Kurtit”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian janë indinjuar me zbatimin e rregullores së re të Bankës Qedrore të Kosovës e cila e heq nga përdorimi dinarin serb në vend.
Qeveria e Kosovës ka folur për një periudhë tranzitore të zbatimit, e cila sërish nuk i ka kënaqur ndërkombëtarët, të cilët kërkojnë që Ekzekutivi të tërhiqet menjëherë nga vendimi.
Para dhjetë ditësh, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha se Policia e Kosovës më 4 shkurt sekuestroi dinarë serbë dhe një automjet transportues që i sillte ato, duke i bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që “të sigurojnë që individët për të cilët janë destinuar këto pagesa të përfitimeve sociale t’i marrin ato pa vonesë”.
Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit James O’Brien tha mbrëmë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara lidhur me këtë çështje, duke theksuar se se me këtë qëndrim, Qeveria e Kosovës e ka vënë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në.
“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, tha O’Brien.
VIDEO BONUS: Serbët në Mitrovicë të Veriut protestojnë kundër ndalimit të dinarit







