Një nga themeluesit e Hamasit, grupit prapa sulmit terrorist të javës së kaluar në Izrael ku mbetën të vrarë të paktën 1200 persona, ka qenë njëri nga të vrarët të martën në sulmet ajrore izraelite në Gaza, raporton “The New York Post”, duke iu referuar raportimeve nga Lindja e Mesme.
Abd al-Fattah Dukhan, i njohur si “Abu Osama”, është vrarë nga një sulm ajror izraelit në qendër të Gazas, siç ka njoftuar transmetuesi izraelit “KAN”. Ai ishte në lagjen “Nuseirat”, kur ndodhi sulmi. Ndërkohë është raportuar se të martën janë vrarë edhe dy liderë tjerë të Hamasit, Zachariah Abu Ma’amar dhe Jawad Abu Shamala.
Dukhan, një drejtor shkolle në kampin e refugjatëve al-Nusayrat, ishte pjesëmarrës në takimin e vitit 1987 gjatë të cilit u themelua Hamasi nga sheiku Ahmed Yassin.
Abu Ma’amar ndërkohë ishte i përfshirë në vendimmarrjen e Hamasit dhe planifikimin e sulmit terrorist të së shtunës, ndërsa Abu Shamala ishte Ministër i Ekonomisë i Hamasit.







