Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka paralajmëruar kundërpërgjigje në rast të lëndimit të amerikanëve, përderisa forcat e vendit të tij sulmuan më shumë se 80 caqe në Irak e Siri gjatë një sulmi të gjerë ajror ndaj objekteve të grupeve militante pro-iraniane dhe Rojave Revolucionare të Iranit.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se këto sulme janë nisur si hakmarrje për sulmin me dron që la të vrarë tre trupa amerikane në Jordani, duke shtuar: “Kundërpërgjigjja jonë nisi sot. Ajo do të vazhdojë në kohë e vende sipas zgjedhjes sonë” – raporton “The Guardian”.
Komanda Qendrore e Ushtrisë së ShBA-së tha se kishte goditur me më shumë se 125 bomba gjatë një sulmi që u krye rreth mesnatës sipas zonës kohore lokale gjatë atyre që u përshkruan si rasti i parë i sulmeve të shumëfishta kundër grupeve pro-iraniane.
“Forcat ushtarake të ShBA-së goditën më shumë se 85 caqe, me shumë aeroplanë, përfshirë bombardues me rreze të gjatë, të nisur nga Shtetet e Bashkuara” – thuhet në një deklaratë të Komandës Qendrore.
Në shënjestër të sulmeve ishin objektet që besohet se kontrolloheshin nga Forcat Kuds të Rojave Revolucionare të Iranit dhe nga grupe të lidhura me to.
Në caqe u përfshinë qendra të operacioneve të kontrollit e komandave, qendra të inteligjencës, raketa, logjistika dhe objekte të zinxhirit furnizues me municion, sipas Komandës Qendrore, por nuk qe e qartë se sa të sakta ishin sulmet ose çfarë pasoja në njerëz ishin shkaktuar.
Raportimet fillestare nga terreni ishin të kufizuara. Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, organizatë për vëzhgimin e luftës, tha se të paktën 18 luftëtarë pro-iranianë u vranë në lindje të Sirisë gjatë sulmeve që besohet se u kryen nga ShBA-ja.
Të paktën 26 objekte të grupeve pro-iraniane u shkatërruan në Siri, përfshirë disa depo të armëve, sipas kësaj organizate. Aeroplanët luftarakë shkatërruan 17 pozicione në provincën lindore, Deir ez-Zor, tri sulme ndohën në Al-Mayadeen dhe një në Albu Kamal, afër kufirit me Irakun.
Një depo e armëve dhe një qendër komande e grupeve pro-iraniane u vunë në shënjestër në perëndim të Irakut, përgjatë kufirit me Sirinë, duke rezultuar në të paktën “disa lëndime”, i thanë agjencisë AFP dy burime irakiane të sigurisë.
Një zëdhënës ushtarak irakian, Yahya Rasool, tha se sulmet amerikane u kryen në zonat kufitare irakiane dhe paralajmëroi se këto veprime mund të nxisin jostabilitet në rajon. “Këto sulme ajrore përbëjnë shkelje të sovranitetit irakian, i minojnë përpjekjet e qeverisë irakiane dhe paraqesin rrezik që mund t’i çojë Irakun e rajonin drejt pasojave të llahtarshme” – shtoi ai.
Disa zyrtarë amerikanë i thanë televizionit CNN se ShBA-ja nuk planifikon që ta bombardojë Iranin, veprim që do të përfaqësonte eskalim të konsiderueshëm. Zyrtarët e administratës së presidentit Biden vazhdimisht kanë theksuar se Uashingtoni nuk synon që të hyjë në luftë me Teheranin, pavarësisht nga akuzat se Irani i kishte armatosur grupet që qëndrojnë prapa sulmit vdekjeprurës me dron në Jordani.
VIDEO BONUS: Keqpërdorimet me patentë shofer, Durmishi flet për ndërmarrje kriminale: Prin Peja






