Raportohet për 2 milionë euro të zhdukura në Ministrinë e Financave, thirret konferencë e shpejtë për media

Ministria e Financave ka thirrur konferencë për media në ora 15:45, lidhur me raportimet për avullimin e 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

Plotë dy milionë euro janë avulluar nga Ministria e Financave. Ballkani.info mëson se parat janë tërhequr nga Thesari i Shtetit i kësaj ministrie, e të cilat nuk dihet ende se ku kanë përfunduar.

Kjo ka bërë që Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, mbrëmjen e së martës ka ndërmarrë një aksion në këtë ministri, meqë rast ka arrestuar një person, zyrtar i Ministrisë së Financave, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa dy të dyshuarit e tjerë janë në arrati.

Ballkani.info raportoi për këtë rast, dhe saktësoi ministrinë në fjalë:

Një person është arrestuar dhe dy të tjerë janë ende në arrati, pasi që ishin të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ata dyshohet se derisa ishin në pozita zyrtare kanë keqpërdorur thesarin shtetëror për të transferuar para në vlerë 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë në llogari të një kompanie.

Ballkani.info mëson se këta zyrtarë ishin pjesë e Ministrisë së Infrastrukturës që drejtohet nga Arban Abrashi. Ata (zyrtarët) ishin pjesë e Departamentit të Financave në Ministrinë e Infrastrukturës.

Ndërkaq Sinjali mëson se është kërkuar bllokimi i llogarive të të dyshuarve, pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit. Po ashtu, është marrë vesh se janë bastisuar shtëpitë e të dyshuarve, por nuk është gjetur asgjë, përveç një veturë, e cila është konfiskuar.

Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Policia po ashtu ka bastisur edhe shtëpitë e personave të dyshuar për këtë rast.

Aksionin e ka konfirmuar Policia e Kosovës.

“Policia e Kosovës, në këtë rast datës 20.10.2020, ka ndërmarrë një operacion policor në rajonin e Prishtinës, i cili ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, ku për informacione shtesë do të ju mbajmë të informuar”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Në anën tjetër edhe Prokuroria e Shtetit tashmë ka nisur hetimet lidhur me këtë rast.

Zëvendës-kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha ka thënë se rasti është në fazën fillestare.

Por, i njëjti nuk ka pranuar të japë më shumë detaje.

“Jemi në fazën fillestare të hetimeve. Momentalisht nuk mund të japim më shumë detaje sepse e dëmtojmë rastin”, tha shkurtimisht ai.

E, nga Ministria e Financave ende nuk janë deklaruar për një skandal të tillë.

Sipas informacioneve të Ballkani.info, Ministria e Financave pritet që gjatë ditës së sotme t’i drejtohet opinionit publik lidhur me këtë rast.