Raporti zyrtar| Detaje të policisë për vjedhjen në banesën e deputetit Mirsad Shkreta, hajni e hapi derën me çelës

Deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta, i është vjedhur një shumë e konsiderueshme parash e gjëra me vlerë, ndonëse ai shumën e saktë nuk ia ka treguar as Policisë së Kosovës kur e ka raportuar rastin.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Fatime Sokoli” te banesat e “Prishtina Sun”, raporton Demokracia.com.

Policia është informuar për rastin pas orës 1 të mesnatës.

“Njësia policore ka shkuar ne atë lokacion dhe kanë kontaktuar me ankuesin Mirsad Adem Shkreta (deputet i Kuvendit të Republikës)”, thuhet në raportin që e ka siguruar Demokracia.com.

Shkreta kishte raportuar në Polici se kishte dalë nga banesa e tij të premten e 23 qershorit dhe kur ishte kthyer në banesë pas orës 1, kishte vërejtur se dikush kishte hyrë në banesë dhe kishte vjedhur gjëra me vlerë.

Deputeti i LVV-së u kishte thënë policëve se ende nuk e di çka i ishte vjedhur.

Policia e Kosovës po dyshon se personi që e ka kryer vjedhjen ka hyrë me çelës në banesë, pasi që Policia nuk kishte gjetur dëshmi që është depërtuar me forcë.

Për rastin ishte informuar me shkrim edhe prokurorja kujdestare.

Demokracia.com ka tentuar disa herë të kontaktojë me deputetin Shkreta, por ai vazhdimisht e ka ndalur telefonin. /Demokracia.com/