Raporti për Kosovën, shefi i UNMIK-ut: Kurti ka një qeveri të fuqishme dhe ka vendosur një qasje të qeverisjes në luftim të korrupsionit

Përfaqësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe shef i UNMIK-ut, Zahir Tanin, ka shpalosur në Këshillin e Sigurimit raportin për Kosovën.

Ai ka folur për  faktin se në Kosovë për një vit e gjysmë ka pasur tri qeveri të ndryshme, dhe kjo sipas tij është tregues për faktin e turbulencave politike në Kosovë.

“Kundrejt sfidave të pandemisë, zgjedhjeve të kryera me sukses më 14 shkurt. Para zgjedhjeve, gjatë më pak se 1 viti e gjysmë, tri qeveri kanë qenë në detyrë, dhe kjo ndihmon të kuptohet sasia e turbulencave që kanë mbretëruar. Dalja në zgjedhje ka qenë shumë e lartë. Partia fituese ka marrë mëse gjysmën e votave. Shqyrtimi i demografisë së votave ka zbuluar një dëshirë të madhe për ndryshim”, tha Tanin.

“Në muajt e fundit, përkundër kufizimeve kemi qenë të angazhuar. Dje jam takuar me kryeministrin Albin Kurti, i cili më ka siguruar për rëndësinë strategjike të avancimit të dialogut. Sot kam folur edhe me Vuçiqin për dialogun. Dinamika për të zgjedhur presidentin e ri ka kontribuar në ngutin për  zgjedhje të reja. Javën e kaluar, Vjosa Osmani u zgjodh presidente e Kosovës, duke u bërë gruaja e dytë që mbanë këtë pozitë.”

“I inkurajoj liderët që të kenë parasysh ndikimin e deklaratave të tyre publike, përfitimi i besimit publik është aq i brishtë sa edhe esencial. Tani, kemi një qeveri të mandatuar në Kosovë dhe mund të presim që çështjet e rëndësishme të trajtohen me seriozitet. UNMIK-u do të përkrah procesin pa ekuivok dhe do të punojmë me të gjitha ato që kemi në dorë për një progres si në të gjitha vendet. Kosova mbetet në presion nga pandemia. Janë vendosur masa të reja javën e kaluar, për të ulur numrin e infeksioneve që kishte arritur numër të paprecedent. Janë mbi 100 mijë të infektuar dhe rreth 2 mijë të vdekur. Deri tash kanë arritur 24 mijë vaksina nga COVAX”, tha ai.

“Qeveria e Kosovës ka mundësi të mëdha përkrah sfidave të mëdha. Kurti ka një qeveri të fuqishme dhe ka vendosur një qasje të qeverisjes në luftim të korrupsionit. Kjo është një mundësi e mirë e Kosovës për të transformuar narrativat që kanë mbajtur peng në arenën ndërkombëtare”, tha ndër të tjera ai.