Raporti i KDI-së për legjislacionin e porositur në Kosovë: U bënë ligje për interesa të grupeve të caktuara, e jo të qytetarëve

Instituti Demokratik i Kosovës ka publikuar një raport lidhur me fenomenin e legjislacionit të porositur, ku institucione të larta të Kosovës kanë përgatitur legjislacion për interesa të oligarkëve duke anashkaluar interesin publik.

Është përmendur po ashtu se ekziston një tendencë e hapur që në institucionet shëndetësore publike të referojnë qytetarët për të marr shërbime në institucione private, ku duhet të bëhen pagesa.

Arben Kelmendi nga KDI ka thënë se legjislacioni i porositur është fenomen që po studiohet në mbarë botën.

“Legjislacioni i porositur është një fenomen që po studiohet nga studiues nga mbarë botën. Ai nënkupton ndikimin që ushtrojnë individët e grupeve të interesit mbi ligjbërësit gjatë procesit të ligj bërjes në mënyrë që këto ligje të reflektojnë në interesat e tyre apo të grupit të interesit e jo ato të qytetarëve”, tha Kelmendi.

Sipas raportit të KDI-së së vitit 2018, disa sfera të jetës publike në Kosovë janë në rrezik më të lartë ndaj kapjes së shtetit, si për shembull sistemi publik shëndetësor.

Ky raport ka gjetur se ekziston një tendencë e përhapur në sistemin shëndetësor për të referuar qytetarët tek operatorët privat ku ata janë të detyruar të paguajnë për shërbime dhe produkte më të shtrenjta.

“Gjatë këtij hulumtimi KDI ka realizuar disa ligje dhe udhëzime administrative si raste të dyshimta të legjislacionit të porositur, si Ligji për Noterinë, projektligji për financimin e subjekteve politike, udhëzimi administrativ për homologimin e automjeteve, udhëzimi administrativ për trajtim mjekësor jashtë vendit, e një sërë ligjesh administrative”, u shpreh Kelmendi.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka folur edhe për Ligjin për Noter, për të cilën tha se procesi i noterisë ka qenë procesi më i komprometuar.

“Procesi i noterisë ka qenë procesi më i komprometuar në Republikën e Kosovës, ku partitë në pushtet, bashkë me ministrin atë kohë të drejtësisë, kishin arritur që në mesin e kandidatëve që kishin kaluar provimin e noterisë të jenë persona të partive politike, fëmijë të personave me ndikim, gjegjësisht me ndikim në kuptimin e kapjes që ata i bëjnë institucioneve të drejtësisë dhe të gjitha institucioneve të tjera”, thekson Haxhiu.