Raporti i GAP për shpenzimet e ministrave dhe zv.ministrave gjatë vitit 2020, reagon ish-zv.ministri Musliu: Nuk kam tejkaluar shpenzimet e lejuara

Ish-zëvendësministri Bashkim Musliu ka reaguar pas lajmit të publikuar në prill të këtij viti, se ai ka tejkaluar shpenzimet e lejuara për zyrtarët e emëruar publik.

Ballkani.info., duke iu referuar raportit GAP kishte raportuar  për shpenzimet e ministrave dhe zëvendësministrave gjatë vitit 2020, në të cilin pos tjerash përmendet edhe emri i zv.ministrit Bashkim Musliu për shpenzimet e tij.

“Shuma e lejuar për shpenzime në dreka dhe darka zyrtare gjatë një viti për një zëvendësministër/re është 200 euro në muaj. Në radhën e zëvendësministrav/ev për vitin 2019, tejkalim të shpenzimeve mujore për reprezentacion kemi nga gjithsej 14 zëvendësministra/e, tre më pak krahasuar me vitin 2018.Shuma më e madhe e tejkaluar është për 498 euro në muajin shkurt nga Besim Demi, pastaj Aleksander Spasic për 471 euro, Bashkim Musliu për 352 euro,zëvendësministra në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë”, thuhej në raportin e GAP-it.

Por, Musliu përmes publikimit të ankesës që ka bërë në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, dëshmon të kundërtën e raportimit për shpenzimet e tij.

Ish-zëvendësministri në adresën e portalit Ballkani.info., ka dërguar përgjigjen e Ministrisë kundrejt ankesës së tij, duke sqaruar në detaje shpenzimet e faturat gjatë kohës sa ka ushtruar pozitën e tij, duke dalë në përfundim se ai nuk ka tejkaluar shpenzimet e lejuara për zyrtarët e emëruar publik.

Më poshtë gjeni përgjigjen e tij pas ankesës në Ministri:

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, ish MMPH, pas pranimit të Ankesës Nr. Fin 258/21, dt. 21/04/202, e që ka të bëjë me shpenzimet e ish zv. Ministrit të MMPH z. Bashkim Musliu, me qëllim të sqarimit të opinionit rreth prezantimit të shpenzimeve të reprezentacionit për zyrtarët e emëruar publik dhe ashtu siç është paraparë me UA Nr. 01/2008, Neni 3 (Shpenzimet e reprezentacionit), Neni 5 Vlera e shpenzimeve të reprezentacionit, pika “iv”, paraqet shpenzimet e detajuara si në vijim:

1.      Fatura MMPH 1709 (Zyra), datë 31/12/2018, Vlera 174,20 Euro, paguar me dt. 13/02/2019, sipas kërkesës së z. Selman Gjinofci, Asistent administrativ i zv. Ministrit dhe konfirmimi për pranim të shpenzimit;

2.      Fatura nr. 0008830, datë 31/10/2018, Vlera 188,60 Euro, paguar me datë 21/02/2019 sipas kërkesës së z. Selman Gjinofci, Asistent administrativ i zv. Ministrit dhe konfirmimi për pranim të shpenzimit;

3.      Fatura nr. 0006392, datë 30/11/2018, Vlera 189,00  Euro, paguar me datë 22/02/2019 sipas kërkesës së z. Selman Gjinofci, Asistent administrativ i zv. Ministrit dhe konfirmimi për pranim të shpenzimit;

Lidhur me këto shpenzime dhe bazuar në UA Nr. 01/2008, z. Bashkim Musliu, ish zv. Ministër në MMPH, nuk ka tejkaluar shpenzimet për reprezentacion, ndërsa raporti i dhënë nga DFSHP i MEA-së, të dhënat për shpenzimet i ka bazuar në parimin e parasë së gatshme dhe kohës kur për këto shpenzime është bërë pagesa.

Kjo nënkupton se çfarëdo publikimi që Mediat kanë mundur ta plasojnë në opinion lidhur me tejkalimet e bëra, në këtë rast, janë të pasakta dhe nuk përkojnë me gjendjen reale të obligimeve të krijuara nga Zyrtari i emëruar publik. GAP, lidhur me këtë raport të shpenzimeve, nuk ka kërkuar një sqarim për periudhën e ndodhjes së shpenzimit por raportin e pagesave të bëra (që në asnjë rast nuk përkon me datën e krijimit të obligimit) e ka publikuar dhe kjo nuk jep një gjendje reale.

Me respekt,

Bashkim Musliu