Pozita dhe opozita sot janë përplasur në mbledhjen e Komisionit Hetimor për MPJD-në. Në këtë mbledhje ishte paraparë prezantimi i raportit të ekspertëve për nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Ndonëse opozita kishte kërkuaar miratimin e këtij raporti në mënyrë që të mundësohet pagesa për ekspertët që e kanë hartuar atë, VV-ja e ka kundërshtuar.
Deputeti i VV-së, Gazmend Gjyshinca, ka kërkuar që kjo mbledhje të shtyhet për të hënën. “Po pajtohem që duhet paguar puna që është bërë, në anën tjetër vetëm sot ndodhet prezantimi nga eksperti, na duhet kohë për ta analizuar e të shohim çfarë është e zeza mbi te bardhën. Dhe e dyta prej grupit tonë mungojnë edhe tre, katër vetë tjerë. Nëse të hënën bëhet mbledhja kemi kohë për te parë se çka është shkruar dhe për ta votuar”, ka thënë Gjyshinca, raporton EO.
Eksperti i angazhuar nga komisioni në fjalë, Shkëlqim Jakupi, ka treguar detaje të raportit.
Sipas tij, ky nuk është raport përfundimtar.
“Raportin e kem dërguar tash e dy muaj në komisionin përkatës. Është raport fillestar jo përfundimtar. Raporti është i ndarë në 10 kapituj kryesor sikurse organizimi i MPJD-së, emërimet, konkurset, menaxhimi i transfereve, emërimet të këshilltarëve e të tjera. Mungojnë të gjeturat e ekspertizës, për shkak mos përfundimit të punës, mos dëgjimit të dëshmitarëve posaçërisht kohës së shkurt për të nxjerrë një ekspertizë profesionale. Rekomandimet janë që ky raport nuk ka nevojë të shqyrtohet as miratohet nga Komisioni Hetimor, ne kërkuam që si ekspert në na vazhdohet mandati që ta përfundojmë përfundimisht ekspertizën. 1202 faqe kemi pranuar material në një kohë shumë të shkurtër, ju fillimisht keni angazhuar tre ekspert e sot jam vetëm unë. Në bazë të kësaj neve do të na duhej së paku edhe një muaj kohë për ta përfunduar unë këto tre kapituj. Nuk kemi pasur asnjë pengesë nga askujt nga Ministria por koha është e limituar. Te gjitha janë çështje të veçanta dhe analiza të veçanta”, është shprehur Jakupi.







