Raporti i DASh-it për korrupsionin, mbrohet Kurti: Thotë disa zyrtarë të korruptuar, më herët ishte shumë zyrtarë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka folur në lidhje me korrupsionin përballë gazetarit Adriatik Kelmendi.

Ndërsa Kelmendi i është drejtuar Kurtit duke ia kujtuar se e ka pasur “kryefjalë luftën e korrupsionit”, ai i ka cituar një raport të Departamentit të Shtetit Amerikan, në të cilin flitet për korrupsion serioz, mungesë transparence si dhe përmendet zhdukja e mostrave të Astrit Deharit.

“Shumë në qeveri, opozitë shoqëri civile dhe media raportuan raste të zyrtarëve të lartë të përfshirë në korrupsioni ose duke vepruar pa u ndëshkuar. Qeveria ndonjëherë pezullonte, dhe sektori i drejtësisë ndonjëherë ndërmorri hapa për të ndëshkuar ata zyrtarë. Megjithatë disa zyrtarët të korruptuar vazhdonin të mbanin poste të larta,”- është thënë në raportin e DASH-it për Kosovën.

Kurti këtij raporti iu përgjigj duke thënë se flitet për disa zyrtarë e jo shumë zyrtarë siç mund të kenë qenë më herët.

“Pra thotë disa zyrtarë të korruptuar, në raportet e viteve të mëhershëme është shumë zyrtarë.Kemi rënë nga shumë në disa, nuk e kemi bërë korrupsioni 0, e pranoj por mbase duhet përmendur edhe Transparency International, kemi përparur për 20 vende në dy vite dhe sipas World Justice Project, jemi për vitin e dytë të parët në Ballkanin Perëndimor dhe të dytët sa I përket përmirësimit të sundimit të ligjit pas Hondurasit,”- ka thënë Kurti.