Raportet shqiptaro-serbe, si dy popujt më të mëdhenj në Ballkan, varen nga Kosova

Raportet e serbëve dhe shqiptarëve varen nga zgjidhja e çështjes së Kosovës, kanë vlerësuar sot asistenti i Fakultetit të Shkencave Politike, Stefan Surliq dhe gazetari kosovar, Idro Seferi në panelin e organizuar nga Tanjug në rezidencën e ambasadorit norvegjez.

Surliq ka thënë se çështja e Kosovës do t’i kontaminojë raportet deri në momentin e zgjidhjes së saj dhe se kjo do të jetë temë dominuese edhe më tej.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka folur për zgjidhjen e problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se duhet të gjendet një zgjidhje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, përndryshe problemi ndërmjet dy shteteve vetëm sa do të rritet, transmeton Ballkani.info.

Daçiq ka thënë se është në interesin e dy popujve më të mëdhenj në Ballkan që të gjejnë një rrugë të përbashkët, duke bërë thirrje që serbët dhe shqiptarët të ndihmojnë njëri tjetrin.

Sipas tij, ajo që është në interes të dy popujve nuk duhet të kundërshtohet.

Ndër të tjera Daçiq ka thënë se problemet me popullin shqiptarë duhet të trajtohen me Shqipërinë fillimisht, pasi thotë se çfarëdo zgjidhje që do të dal, do të jetë më e mirë se njohja e pavarësisë së Kosovës.

“Ne kemi interesa të përbashkëta, megjithatë nuk jam i sigurt nëse po koordinohemi për një gjë të tillë, ne shpeshherë e bëjmë të kundërtën”, ka thënë ai. /Ballkani.info/