Ramsey kompleton testet e para mjekësore te Juventusi

Aaron Ramsey i është afruar edhe më shumë kalimit te Juventusi, teksa sot i ka kompletuar me sukses testet e para mjekësore me klubin italian.

Shumë klube të mëdha evropiane ishin të interesuara për shërbimet e mesfushorit uellsian, por “Zonja e Vjetër” është treguar më efikase në sigurimin e 28 vjeçarit, me të cilin do të nënshkruajnë kontratë 5 vjeçare me pagë 7 milionë euro në sezon, raporton Goal.

Emisarë të Juventusit ishin në Londër të dielën për të kryer kontrollet mjekësore të Ramseyt, derisa ky i fundit do t’i bashkohet kampionëve të Italisë vetëm në përfundim të këtij stinori, për shkak se Arsenali nuk e ka lejuar largimin e mëhershëm të tij.

Marrëveshja finale pritet të arrihet këtë javë, me agjentin e lojtarit që do të ketë një takim me drejtuesit e Juventusit në Milano.

Në të kaluarën, “Bianconerët” e kanë aplikuar këtë metodë të transferimit të lojtarëve në skadencë kontrate, me Emre Can që ishte futbollisti i fundit që iu bashkua Juventusit në këtë formë gjatë verës së kaluar nga Liverpooli.