Ramosaj: QKMF në Deçan të pajiset me mjetet e nevojshme për t’iu përgjigjur situatës me coronavirus

Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka thënë sot se pas vendimit të Qeverisë dhe situatës së krijuar në Republikën e Kosovës janë duke i përcjellë për se afërmi zhvillimet të cilat janë krijuar si pasojë e COVID-19, ndërsa kanë marr edhe masat e duhura.

Ramosaj i falënderoi qytetarët dhe bizneset që kanë respektuar vendimet e nxjerra nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Instituti i Shëndetit Publik dhe vendimet që kanë dalë nga Komuna e Deçanit.

Ai tha se shqetësimi më tej vazhdon të jetë në raport më Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, e cila ende nuk është pajisur me mjetet e nevojshme që t’i përgjigjet kësaj situate.

“Duke pas parasysh që mjekët e qendrave kryesore të mjekësisë familjarë janë të parët që ballafaqohen më këtë situatë ne si institucion komunal me aq sa kemi pas mundësi i kemi pajisur me mjete e nevojshme, por që nuk janë të mjaftueshme karshi numrit të banorëve të cilët ka komuna e Deçanit”, tha Ramosaj.

Ai kërkoi nga Ministria e Shëndetësisë që të bëj furnizimin e QKMF-së në Deçan me pajisjet e nevojshme.