Ramos flet për idenë e shkarkimit të Lopeteguit

Pas humbjes tronditëse të Real Madridit 1-0 ndaj Alavesit, kapiteni madrilen Sergio Ramos ka insistuar se shkarkimi i trajnerit Julen Lopetegui tani do të ishte çmenduri.

Ish-trajneri i Portos dhe Spanjës ka bërë fillimin më të keq të sezonit nga të gjithë trajnerët tjerë të Real Madridit nën presidencën e Florentino Perezit, pasi tashmë i ka humbur katër ndeshje, transmeton Gazeta Express.

Për më tepër, Real Madridi ka 6 orë e 49 minuta pa shënuar gol, duke bërë që të flitet për shkarkimin e mundshëm të trajnerit.

Ramos, megjithatë, mendon se të konsiderohet një gjë e tillë në këtë fazë është çmenduri.

“Nganjëherë është më mirë ta ndërrosh trajnerin dhe nganjëherë nuk është, por është shumë herët të flitet për këtë dhe nuk është në duart e lojtarëve të marrin një vendim të tillë”, tha Ramos.

“Tjerë njerëz i marrin këto vendime, por asnjëherë nuk është mirë ta ndryshosh trajnerin, do të ishte çmenduri”, shtoi ai.