Burim Ramadani

Ramadani: Shteti serb është i përfshirë në sulmin terrorist, nga tani ndryshon loja

Ish-inspektori i përgjithshëm i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani, ka folur në Pressing të T7 për zhvillimet në veri të Kosovës.

Të dielën një grup terrorist ka sulmuar Policinë e Kosovës, duke e vrarë policin Afrim Bunjaku – i cili më pas mori gradën e heroit të Kosovës.

E për grupin terrorist, Ramadani beson se mbrapa qëndron Beogradi. Ai thotë se grupi ka qenë organizim i strukturave ushtarake dhe të sigurisë serbe, si dhe shërbimet sekrete në Serbi.

Ai thotë se qëllimi i Serbisë është destabilizimi i Ballkanit, dhe mbi këtë synim ka funksionuar edhe grupi.

“Cilësimi final dhe këtu besoj do të jetë tema e ditëve dhe javëve ne vazhdim, unë përgjegjësia direkte e shtetit serb, strukturave ushtarake dhe të sigurisë duke përfshirë edhe shërbimet sekrete edhe ushtarake edhe civile dhe ndërlidhja me këtë aspekt me identifikimin dhe konstatimin e përgjegjësisë direkte unë mendoj se do ta ndërrojë pamjen edhe në rajon dhe do të ndodh ajo që ka qenë meritore të ndodhe dhe pa këtij akti, një qasje më e saktë me Serbinë dhe potencialin dhe qëllimin e destabilizimit të Ballkanit”, ka thënë Ramadani.