Ismet Ramadani

Ramadani: Është rrezik nëse Mickoski rreshtohet krah Orbanit, Vuçiqit dhe Dodikut

Rreziku për Maqedoninë e Veriut mund të lind vetëm nëse kryeministri Hristijan Mickoski renditet me partitë ekstreme të djathta, kështu vlerëson Ismet Ramadani.

Sipas tij, një bashkim i mundshëm i Mickoskit me kreun e Hungarisë, Victor Orban, me atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe të Bosnje e Hercegovinës, Milorad Dodik duhet të jetë alarm për partitë shqiptare në pushtet në Maqedoninë e Veriut.

“Unë mendoj se pjesëmarrësi shqiptar në këtë drejtim, është të tregoj; qëndrueshmëri në kuptimin që në asnjë mënyrë mos të lejohet që ai të rrëshqasë te partitë e djathta ekstreme”, tha Ramadani në “ClickPlus”.

Ramadani foli edhe për partitë shqiptare në qeveri për të cilët tha se çështja e legjitimitetit nuk është aq me rëndësi, sepse sa do të jetë legjitime, këtë do ta vlerësojnë qytetarët në zgjedhje.

Më tej tha se partitë duhet ta kenë të qartë se tashmë nuk janë një botë virtuele të kënaqësisë, por në botë të përgjegjësisë.

“Të jenë në krye të detyrës. Të dihet se atje janë për interesa të qytetarëve, për interesa të popullit të vet, por edhe të shtetit, sepse megjithatë institucionet janë shtetërore. Nëse merret përgjegjësia, atëherë duhet t’i themi vetes paraprakisht se nuk kalojmë në një botë virtuele të kënaqësisë në pushtet, por kalojmë në një botë të përgjegjësisë”, tha Ramadani.