Rama: Vaksinimi për studentët mund të bëhet i detyrueshëm

“Mund të vijë momenti që, duke pasur parasysh variantin Delta, vaksinimi për studentët të bëhet i detyrueshëm”.

Këtë fakt e ka pohuar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një inspektimi që ka kryer në godinën e saporikonstruktuar në Rezidencën Studentore Universitare nr. 2, e cila është gati tashmë për vitin e ri akademik.

Përtej stafit akademik që është thuajse tërësisht i vaksinuar, një detyrim mund të ketë edhe për studentët. Kjo, sipas kryeministrit, është si masë parandaluese për përhapjen e virusit.

Ndaj, frekuentimi i auditorëve, mund të shohë për studentët detyrimin e vaksinimit. Nëpërmjet pasaportave të vaksinimit, do të mundësohet edhe hyrja e tyre në institucionet e arsimit të lartë.

E pranishme në inspektim ka qenë edhe ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, e cila ka informuar mbi nivelin e vaksinimit të pedagogëve. Sipas saj, pjesa më e madhe e tyre i kanë marrë të dy dozat kundër COVID-19.