Rama takohet me Mitsotakis në Lituani, mediat greke: Do të flitet mbi arrestimin e Fredi Belerit

Kryeministri Rama do të takohet me homologun e tij grek Kyriakos Mitsotakis, në Lituani, pak para samitit të NATO-s që pritet të mbahet aty.

Sipas mediave greke, Rama dhe Mitsotakis pritet të diskutojnë mbi çështjen e arrestimit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit, nga autoritetet shqiptare.

Kujtojmë se ky i fundit ndodhet parapa hekurave për shkak se u kap duke blerë vota. Më herët pala Greke ka ‘kërcënuar’ se këtë çështje do t’ia parashtronte edhe mekanizmave ndërkombëtarëve.

Liderët e NATO-s do të takohen në Vilnius më 11 dhe 12 korrik për të trajtuar një sërë çështjesh, duke nisur nga ndasitë lidhur me anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës dhe pranimin e Suedisë, e deri te rritja e furnizimeve me municion dhe shqyrtimi i planeve të mbrojtjes pas shumë dekadash.

Ky do të jetë samiti i katërt i NATO-s që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, pasi samiti i parë ishte mbajtur virtualisht më 25 shkurt 2022, një ditë pasi Rusia nisi luftën. Dy samitet e tjera janë mbajtur në Bruksel dhe Madrid.