Rama shmang përballjen me opozitën për “McGonigal”, ia delegon Spiropalit

Kryeministri Edi Rama ka shmangur përballjen me deputetët e opozitës të cilët kanë kërkur interpelancë për çështjen “McGonigal”. Kryeministri ka deleguar ministren Elisa Spiropali  për tu përgjigjur në emër të tij në këtë interpelancë por kjo nuk është pritur mirë nga deputetët e opozitës.

Lindita Nikolla: Zoti Shehu ju lutem lironi foltoren, do vijojmë me interpelancë urgjente me kryeministrin me një grup deputetesh të opozitës. Kryeministri ka deleguar ministren Elisa Spiropalin për këtë interpelancë.

Bardhi: Nuk kam kërkuar interpelancë me hijet e kryeministrit.

Refuzimit të opozitës që zyrtarja të bënte interpelancën në vend të Ramës për çështjen ‘Mcgonigal’ iu përgjigj vetë Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

“Se kuptoj… a kërkoni sqarime mbi çështjen? A doni të zbardhet çështja, duroni se kemi durimin që t’ju dëgjojmë. Nguti juaj për të nxjerrë konkluzione, jeni qesharak. Si Grata dhe Non-grata, keni dy jave që grisni nervat e miletit. E kuptoj ngutin tuaj, dëshpërimin tuaj. Se dhe i mbyturi po i kap pas flokëve, do të kapet pas ndonjë kanali”, tha ajo.