Rama së shpejti do të shkojë në Abu Dabi, priten projekte mes Prishtinës dhe Emirateve të Bashkuara

Ministrja e Shtetit të Abu Dabit, Maitha Alshamsi dhe Ambasadorja e Emirateve të Bashkuara në Podgoricë, Nabila Alshamsi vizituan Prishtinën.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i shoqëruar nga drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku, tha që diskutuan për themelimin e spitalit të Prishtinës.

“Bashkë me Drejtorin e Shëndetësisë, Izet Sadikun diskutuam për angazhimin tonë në themelimin e Spitalit të Prishtinës, ku edhe u prezantua studimi i fizibilitetit për ndërtimin e tij”, ka shkruar Rama.

“Ministren e falënderova për përkrahjen e vazhdueshme nga Emiratet e Bashkuara, me theks të veçantë për përkushtimin e tyre ndaj avancimit të shëndetësisë në kryeqytet e në mbarë vendin”.

“Shumë shpejt, me ftesë të znj. Alshamsi, do të vizitoj Abu Dabin, ku edhe do të konkretizojmë bashkëpunimin për shumë projekte mes Kryeqytetit dhe Emirateve të Bashkuara”.