Edi Rama

Rama: Plani franko-gjerman e çliron Kosovën përfundimisht nga Serbia

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ritheksoi edhe njëherë qëndrimin e tij se plani franko-gjerman është ideal pasi e çliron Kosovën përfundimisht nga Serbia.

“Plani franko-gjerman është ideal për Kosovën në aspektin e pragmatizmit politik. Se nëse ideale është që Serbia të dorëzohet, të shtrihet përtokë, të kërkojë falje, të paguajë dëmshpërblime etj etj., kjo është ideale, por në një botë që nuk ekziston. Në botën reale, plani franko-gjerman, është dhe koha është ideale që Kosova të çlirohet përfundimisht nga Serbia dhe të formësojë subjektivitetin e vet ndërkombëtar. Është shumë e thjeshtë kjo dhe shqetësimi do radikalizohet ose jo në Serbi, këtë le ta zgjidhin me Serbinë ata dhe ta zgjidhë Serbia me ata. Shqetësimi që duhet të ketë Kosova është që topin mos ta mbajë të zona e vet duke luajtur në mbrojtje gjithë kohës dhe pastaj duke u përpjekur të përfitojë nga marrëzitë e Serbisë, po ta marrë topin dhe ta heqë nga gjysmëfusha vet dhe të thotë ne i bëmë detyrat tona”, tha Rama në emisionin “Opinion”.

Rama përsërit edhe njëherë se ky është oportunitet, që mund të mos vijë prap për shumë vite.

“Mendoj situata është absurde, sepse oportuniteti është i artë dhe të mos e shohësh këtë oportunitet është një fatkeqësi. Unë kur e shoh oportunitetin nuk mund të mbyll gojën dhe të them po mirë s’ka gjë, nuk po e shohin, por do vijë prap. Sepse mund të mos vijë prap për shumë vite”./tvklan.al