Edi Rama

Rama për mosvotimin e Rezolutës për Srebrenicën: Kjo ishte lojë e ulët e Sali Berishës

Kuvendi i Shqipërisë nuk ka pranuar të votojë rezolutën e propozuar nga Tritan Shehu për dënimin e masakrës së Srebrenicës nga ushtria serbe.

Në lidhje me këtë ka reaguar edhe Kryeministri Edi Rama, i cili nëpërmjet një postimi që ka bërë në rrjetet sociale, tha që ata që hidhen përpjetë për dështimin e rezolutës fillimisht duhet të pyesin se përse erdhi një kërkesë e tillë sot, ndërsa shtoi se duhet të informohen se çfarë përmbante rezoluta.

Rama tha se nuk ishte rezolutë por një lojë e ulët e një të shpalluri nga SHBA si i korruptuar dhe minues i demokracisë, referuar Sali Berishës.

Edi Rama: Ata që hidhen përpjetë për gjoja dështimin e një rezolute mbi Srebrenicën në parlamentin shqiptar, si fillim duhet të pyesin po ç’ne kjo rezolutë sot,pse,me ç’rast?Pastaj duhet të informohen mbi tekstin në fjalë dhe në fund duhet ta mësojnë se ajo s’ishte rezolutë po lojë e ulët!

Lojë e ulët e një të shpalluri nga SHBA si i korruptuar dhe minues i demokracise, që njihet botërisht edhe si thyerësi i embargos ndaj Sllobodan Millosheviçit dhe që kapet deri edhe pas kockave të viktimave të kasapit të Beogradit, për t’u ringjallur nga varri i tij politik!

Keqardhje për ata që pa e pasur idenë fare të kësaj loje të ulët, ndjehet gabimisht të lënduar dhe neveri për ata që i shkojnë pas avazit të një të damkosuri si katran me bojë, po Srebrenica nuk mund të jetë letër për bojën e katranit të Shqipërisë!