Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas plagosjes së 28-vjeçarit, Erion Vishkulli, në sy gjatë protestës të shtunën, në vazhdën e protestave të dhunshme tash e disa ditë atje.
Rama teksa ka dënuar dhunën dhe ka akuzuar organizatorët për nxitje të protestuesve, ka thënë se është angazhuar personalisht që ai të marrë trajtim mjekësor në spitalin më të mirë në Itali.
Ai ka theksuar gjithashtu se lëndimi i këtij të riu duhet të jetë një këmbanë alarmi për të gjithë, mbi të gjitha për siç tha – nxitësit e dhunës.
“Pasi jam marrë personalisht që mbrëmë me sigurimin e kurimit të djalit në spitalin më të mirë të Italisë, si edhe të transportit me një avion charter mjekësor, u them të gjithë atyre që po e keqpërdorin si të tërbuar syrin e plagosur të tij për të nxitur më tej dhunën: Ju jeni errësira që i mbylli atij djali dritën e syrit! Ju jeni gishtat dhe thonjtë e dorës së malkimit që e përndjek Shqipërinë qysh në 1912-ën, duke ia mbyllur sytë sa herë ky vend sheh dritë!”, është shprehur mes tjerash Rama në Facebook.
Ndërkohë nga stafi shëndetësor kanë thënë se 28-vjeçari po transportohet në Itali për vazhdim të trajtimit shëndetësor pasi një pjesë të plumbit e ka ende në sy.
Mjekja nuk u deklarua nëse i riu e ka humbur shikimin apo jo pasi sipas saj kjo përgjigje do të jepet pasi të kryhet edhe ndërhyrja e dytë në Romë.
“Për një ekspertizë më të mirë, të detajuar, për një rezultat më të mirë të mundshëm të 28-vjeçarit, kemi bërë një bashkëpunim me një klinikë të specializuar për retinën, traumat në Itali. Kemi kontaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të cilët menjëherë janë vënë në dispozicion për të kryer transportin e pacientit sot dhe duke qenë në bashkëpunim me mjekun atje dhe me stafin atje në bashkëpunim të ngushtë me mjekët tanë si do të kryhet ndërhyrja e dytë, si do të jetë ecuria në të ardhmen për sa i përket shikimit të pyetjes që më thatë është në të gjithë protokollet ndërkombëtare pra kryhet ndërhyrja e parë e cila është kryer brenda gjithë protokolleve në mënyrë korrekte nga mjekët e spitalit Romës dhe më pas pritet një ndërhyrje më e specializuar duke parë hap pas hapi si do të jetë gjendja e syrit për një përfundim maksimal të mundshëm pra për një përmirësim më të mirë. Kjo do duket në ditët në vazhdim”, tha mjekja. /A2CNN







